Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Burimet ujore janë të mjaftueshme për të përballuar konsumin, por problem kryesor në Shqipëri mbetet menaxhimi i tyre. Shkalla e lartë e amortizimit të sistemit, rritja e shpejtë dhe kaotike e qyteteve, dhe niveli i ulët i drejtimit të ndërmarrjeve të ujësjellësave janë problemet kryesore në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.

Në investimet e kryera për zhvillimin urban, parësor është parë investimi në furnizimin me ujë të pijshëm dhe shumë pak në kanalizime. Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve shprehet, përqindja e ujit që disponon vendi ynë është disa fish më i lartë se normat e Bashkimit Europian.

Ministria e Rregullim Territorit dhe Turizmit, ka hartuar strategjinë kombëtare për zhvillimin ekonomik e social, ku janë përfshirë ndërhyrjet në infrastrukturën ujore, zhvillimin urban, strehimin dhe turizmin. Përfaqësuesi i Bankës Botërore Skantie, pjesëmarrës në prezantimin e kësaj strategjie është shprehur se specialistët duhet të merren e shqyrtojnë çështje praktike.

Problemet që janë paraqitur në këtë strategji janë, furnizimi me ujë, i cili mbetet i mangët, e po kështu cilësia e tij, kryesisht në zonat fshatare. Aktualisht, në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve po zbatohen 22 projekte, me një vlerë mbi 160 milion dollarë./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti