Një  skulpturë e re e mbretëreshës Elizabeth II në Irlandën e veriut është përqeshur nga banorët.

Statuja e bronztë e mbretëreshës së ndjerë që ndodhet pranë princit Philip dhe dy qenve të tyre, është krijuar nga skulptori Anto Brennan dhe inagurimi i saj u bë javën e shkuar në Antrim Castle Gardens.

“Skulptura shfaq Madhërinë e saj në një pozë të denjë, duke reflektuar hijeshinë e saj,  palëkundshmërinë dhe përkushtimin e përjetshëm ndaj shërbimit publik”, shkroi këshilli në një postim në Facebook.

Por shumë komentues nuk binin dakord me përshkrimin.

“Në fakt është një ofendim  ndaj kujtimit të madhërisë së saj sepse nuk duket aspak si ajo”, shkroi dikush ndërsa një tjetër e quajti “të tmerrshme” dhe i kërkoi  këshillit “ta hiqte”.

“Më shumë fyerje sesa homazh, duket e tmersshme për të qenë  i sinqertë”. Komente të tjera e përshkruajtën si “qesharake” dhe “të papërshtatshme” ndërsa të tjerë kritikuan këshillin. Madje një komentues tha se dukej më shumë si zonja Doubtfire sesa si mbretëresha.

Ndërkohë pati edhe nga ata që dolën në mbrojtje duke thënë se sa kohë e mund i është dashur artistit për ta përfunduar. Anto Brennan krijoi edhe statujën e princit Philip që u prezantua vitin e shkuar./tvklan.al