Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe 32 të tjerë mbetën të plagosur pas një shpërthimi të ndodhur në një xhami gjatë faljes të së premtes, në qytetin afgan të Kandaharit.

Pamjet nga brenda xhamisë Iman Bargah janë të rënda. Gjithçka e shkatërruar, trupa të shumtë të pajetë përtokë dhe besimtarë të tjerë që përpiqen t’u vijnë në ndihmë të plagosurve. Sipas asaj që shkruan BBC, shkaku i shpërthimi nuk është i qartë, por dyshimet janë se kemi të bëjmë me një sulm kamikaz.

Dëshmitarë thanë se kishin dëgjuar të paktën 3 shpërthime. Në kohën kur ndodhi ngjarja xhamia ishte e mbushur me besimtarë. Në vendin e ngjarjes u panë të paktën 15 ambulanca.

Sipas asaj që shkruan Reuters, zona është rrethuar nga forcat speciale talebane të cilët kërkuan nga qytetarët që të dhurojnë gjak për të plagosurit. Sulmi dyshohet se u ndërmor nga IS-K, dega lokale e të ashtuquajturit Shteti Islamik.

Të premten e shkuar, një sulm kamikaz po në një xhami në qytetin verior të Kunduz vrau të paktën 50 persona. Përgjegjësinë e mori pikërisht IS-K. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës qëkur forcat amerikane u larguan nga Afganistani në fund të muajit Gusht./tvklan.al