United e Roma e nisin me humbje, fitojnë Lazio, Arsenal e Monaco



Manchester United nuk di të fitojë as në Europë. “Djajtë e kuq” e nisën keq fazën e grupeve të Europa Ligë, teksa u mposhtën minimalisht 1-0 nga Real Sociedad në “Old Trafford”. Goli i vetëm i sfidës u shënua nga Mendes me penallti, teksa qëndrimi për 90 minuta në fushë i Cristiano Ronaldo nuk dha frytet e duhura, kjo pas një goli të anuluar dhe pretendimeve të kota të portugezit për penallti.

Me disfatë e nisi edhe Roma, 2-1 në fushën bullgare të Ludogoretsk. Fituesit e Conference League sezonin e shkuar nuk arritën që të merrnin të paktën një pikë nga kjo transfertë, me teknikun Zhose Murinjo që detyroi mbrojtësin Marash Kumbulla ta shikojë nga stoli këtë duel.

Skuadra tjetër e kryeqytetit italian, Lazio triumfoi me shifrat 4-2 në “Olimpico” përballë Fejnordit. Bardhekaltërit iu falën golave të Luis Alberto, Felipe Anderson dhe dopietës së Vesinos. Për 90 minuta në fushë ishte mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, duke bërë një paraqitje të mirë.

Fitore me tepër vlera mori Arsenali në Zvicër përballë Zurihut. Anglezët iu falën dyshes Markuinjos dhe Nketia, autorë të një asisti dhe një goli në këtë sfidë. Për Zurihun realizoi mbrojtësi i kombëtares së Kosovës, Mirlind Kryeziu.

Me pikë të plota u largua edhe Monaco nga transferta e vështirë e Serbisë kundër Cërvena Zvezdës. Goli i vetëm në fitoren 1-0 mban firmën e sulmuesit Embolo.

Klan News