Mark Manëaring-White, 67 vjeç, kishte shpresuar të dilte në pension, por ai do të vazhdojë të punojë si inxhinier edhe për disa vite të tjera.

Shkak për këtë është bërë një politikë e prezantuar nga qeveria e re laburiste e Britanisë së Madhe që e prek drejtpërdrejt atë. Tarifat e shkollës së vajzës së tij mund të rriten me 20% nisur nga Janari, pasi qeveria do të heqë përjashtimin nga TVSH-ja të shkollave private.

Vajza e Manëaring-White ndjek shkollën private Malvern St James vetëm për vajza në Anglinë qendrore.

Inxhinieri i elektronikës thotë se kjo sakrificë po bëhet për të mbuluar tarifat më të larta për arsimimin e të bijës.  

“Ka qenë stresuese sepse më është dashur të riplanifikoj financat e mia për tre vitet e ardhshme ose ndoshta pesë vitet e ardhshme. Dhe kjo do të thotë që nuk mund të dal në pension. Thjesht duhet të vazhdoj të punoj sepse më duhet ta fitoj ato të ardhura shtesë për të ndihmuar vajzën time të paguaj shkollën.”

Prindërit e rreth 600,000 nxënësve që ndjekin shkollat ​​private tani përballen me të njëjtin vendim nëse do të pranojnë të paguajnë tarifa më të larta ose do t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat ​​shtetërore.

Nash El-Mugheiry tregon se ajo dhe burri i saj kanë kursyer para duke zgjedhur të mos bëjnë pushime këtë vit në mënyrë që të mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në një shkollë private.

“Unë kam tre fëmijë, të gjithë në shkolla private, dy prej tyre kanë probleme shëndetësore. Kështu që nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse ata të qëndrojnë në shkolla private. Na duhet të sakrifikojmë për t’ia dalë mbanë.”

Baz Ramaiah, një ish-mësues shprehet se përjashtimi nga taksat për shkollat ​​private ka qënë një privilegj dhe një luks që më të pasurit në shoqëri e kanë shijuar për një kohë të gjatë.

“Mendoj se është koha që ata të fillojnë të paguajnë në mënyrë që të ndihmojnë sistemin shtetëror. Kjo është ajo që kanë thënë Laburistët, se TVSH-ja e ngritur përmes kësaj politike do të jetë drejt financimit të sistemit tonë arsimor shtetëror, i cili edukon 93% të të rinjve në këtë vend dhe 4 milionë fëmijë që po rriten në varfëri. Sistemi arsimor shtetëror është keqfinancuar që nga viti 2010. Ka ardhur koha që më të pasurit në shoqërinë tonë të paguajnë për të ndihmuar sistemin tonë arsimor.”

Kur u sfidua në lidhje në një debat parazgjedhor në Qershor, kryeministri Keir Starmer tha: “Unë dua që çdo fëmijë nga kudo që të vijë, pavarësisht prejardhjes së tij dhe në cilëndo shkollë që të shkojë, të ketë të njëjtat mundësi.”

Me taksimin e arsimit privat qeveria laburiste ka në plan të mbledhë 1.6 miliardë Paund, të cilat do të përdoren për të financuar 6,500 mësues të rinj në sektorin publik.

Tetë prindër, mësues dhe ekspertë të politikave thonë për agjensinë e lajmeve Reuters se nuk presin që të gjenerohen para të mjaftueshme nga kjo politikë për të përmirësuar ndjeshëm sistemin shtetëror. Sipas tyre kjo po përdoret nga qeveria laburise për të mbledhur fonde.  

“Vendosja e TVSH-së prej 20% nuk ​​është mënyra e duhur, nuk është aspak strategjia e duhur. Nuk do të bëjë atë që qeveria laburiste shpreson të arrijë dhe do të ushtrojë presion të madh në sektorin shtetëror. Kam frikë se do të shkatërrojë jetën e disa njerëzve. Dhe këtë e kam jo vetëm në aspektin e edukimit, por edhe atë emocional ku nxënësit lidhen shumë me njëri-tjetrin në klasa të vogla. Druhem se do të ndikojë edhe në jetët e tyre në aspektin psikologjik.”

Disa thonë se politika e laburistëve niset nga zilia e atyre që nuk mund të përballojnë të paguajnë për një arsim me cilësi më të mirë.

“Është një luftë klasash, sipas mendimit tim personal. Mendoj se ka nga ata që nuk kanë përfituar nga një arsimim privat dhe për këtë arsye e shënjestrojnë atë.”

Për Mark Whelan, drejtor i një shkolle private, pasojat nga ky vendim në jetët e shumë nxënësve do të jenë të mëdha.

“Duhet të shkojmë te prindërit dhe tu themi, shiko, më vjen vërtet keq, por na duhet t’ju rrisim tarifën. Kjo do të thotë shumë prindër duhet të mendojnë seriozisht nëse mund t’i mbajnë fëmijët në shkollë, gjë që është shkatërruese për ta, shkatërruese për ne më shumë, sepse ne fokusohemi tek fëmija, jo vetëm te mirëqenia e tyre emocionale por edhe tek mirëqenia e tyre intelektuale. Do të jetë shumë shqetësuese për familjet. Tek ne do të ketë ndikim financiar, por për fëmijët pasojat janë më të mëdha.”

Shkollat ​​private, qindravjeçare dhe të vendosura në ndërtesa madhështore të rrethuara nga lëndina të zbukuruara, kanë një rëndësi të madhe në Britaninë e Madhe.

Shumë familje janë të lidhura me sistemin privat ku brez pas brezi kanë ndjekur të njëjtën shkollë. Prindërit besojnë se fëmijët e tyre do të marrin rezultate më të mira dhe do të bëhen pjesë e një rrjeti social elitar.

Në vitin 2023, nxënësit në shkollat ​​private kishin dy herë më shumë gjasa për të arritur nota më të larta se ata në arsimin publik.

Tarifat mesatare të shkollave private janë 18,000 Paund në vit. Kjo është përtej mundësive të shumicës së britanikëve, ku të ardhurat mesatare vjetore janë 35,000 Paund në vit.

Klan News