Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, u shpreh këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan se askush nuk do të ndalohet dot që të aksesojë plazhin publik. Ai tha teksa ishte i ftuar në studio se do të marrë fund historia e shezlongëve dhe abuzimeve me to.

“Historia e shezlongëve merr fund tani. Historia e abuzimit, e përdorimit të shezlongëve për biznes mbaron tani dhe nuk mund të ndalohet askush të aksesojë plazhin publik më. Pikë. Kaq”, tha Ndreu.

Kujtojmë se kryeministri Rama deklaroi disa ditë më parë se leja për shfrytëzimin e plazheve duke vendosur çadra do ta kenë vetëm hotelet dhe asnjë strukturë tjetër, qofshin restorante apo bare në plazh.

“Kështu që vitin tjetër ne do të ndryshojmë sistemin dhe nuk do të lejojmë më shezlonge, përveç se për ata që kanë hotele”, tha Rama./tvklan.al