Vota e emigrantëve është objekti i dy forcave kryesore pasi e shohin si përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve të pranverës 2025. Socialistët duken më të fokusuar për të bërë për vete shqiptarët që jetojnë jashtë, e që në parlamentaret e vitit të ardhshëm do të shprehin për herë të parë vullnetin e tyre nga shtetet ku jetojnë. Pikërisht me këtë fokus Edi Rama ka mbledhur këtë martë të gjithë kryetarët e bashkive socialiste dhe drejtuesit politik të qarqeve.

Diskutimi me kryebashkiakët është përqendruar tek nevoja e evidentimit në çdo bashki të qytetarëve që jetojnë jashtë, të kontaktohen për t’i informuar për procesin e regjistrimit që nis në janar dhe të komunikohet për alternativën që ofron Partia Socialiste për të vazhduar të qeverisë për një mandat të katërt.

Synimin për të marrë mbështetjen me votë të diasporës, kryesocialisti e tregoi dhe në Asamblenë Kombëtare ku vendosi një drejtues të ri politik me kohë të plotë vetëm për diasporën, ndërkohë që ka një sekretare të diasporës dhe në mbledhjen e sotme u kërkoi kryetarëve të bashkive që të vendosnin në çdo institucion që ata drejtojnë një koordinator të posaçëm për diasporën.

Tv Klan