Mundësi dhe aktori amerikan, John Cena ka njoftuar se do të tërhiqet nga garat në World Wrestling Entertainment (WWE).

Cena e bëri njoftimin surprizë për fansat e tij gjatë një eventi WWE Money in the Bank në Kanada, ku ishte i pranishëm. 47-vjeçari tha se gara e tij e fundit në ring do të jetë në vitin 2025, si pjesë e një turneu lamtumire.

“Sonte njoftoj zyrtarisht tërheqjen time nga WWE”, u tha ai mbështetësve të tij në Toronto, të cilët fillimisht reaguan të habitur dhe më pas brohoritën në shenjë mirënjohje “faleminderit Cena”.

I veshur me një bluzë ku shkruhej “The Last Time is Now”, ai falenderoi fansat e WWE, të cilëve ju tha që “e kanë lënë të luajë në shtëpinë që kanë ndërtuar për kaq shumë vite”.

Në një konferencë për shtyp më vonë, Cena tha se synonte të mbetej pjesë e familjes WWE në një farë mënyre, pavarësisht se tha që ndihej se ishte në fundin e karrierës së tij nga ana fizike.

Cena shpesh konsiderohet si një nga mundësit profesionistë më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe ka arritur statusin e kampionit botëror 16 herë që nga bashkimi me WWE në 2001.

47-vjeçari bëri debutimin e tij në aktrim në vitin 2006 kur luajti në The Marine, duke luajtur role në një numër filmash të famshëm duke përfshirë The Suicide Squad, Fast & Furious 9 dhe Teenage Mutant Ninja Turtles./tvklan.al