Një automjet ra pre e të shtënave me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të premteje në Vaun e Dejës. Ngjarja ndodhi në fshatin Rrenxa të Bushatit. Burime zyrtare të policisë thonë se makina ndodhej e parkuar në momentin e ngjarjes dhe se nga të shtënat nuk ka të lënduar.

Ndërkohë gazetarja Emi Kalaja bën të ditur se pre e plumbave ra një makinë e blinduar. Në drejtim të saj u qëllua të paktën 10 herë, bazuar në gëzhojat që u gjetën në vendngjarje. Për momentin nuk dihet në pronësi të kujt është mjeti në fjalë. Edhe shkaqet e ngjarjes janë të panjohura.

“Rreth orës 18:55, në fshatin Rrenxa, Bushat, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar. Nuk ka persona të dëmtuar. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave, identifikimin e autorit dhe dokumentimin ligjor të rastit”, tha policia e Shkodrës në një njoftim për mediat./tvklan.al