Kompania ndërkombëtare Maersk rrezikon të akuzohet për trafik të paligjshëm të mbetjeve toksike, në lidhje me transportimin e mbi 800 tonë mbetjesh nga porti i Durrësit në Tajlandë.

Transporti i kryer prej saj mund të konsiderohet shkelje e ligjit bazuar në konventën e Bazelit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën thuhet se transporti i mbetjeve të rrezikshme pa miratimin e vendit eksportues, në këtë rast Shqipërisë, vendeve të tranzitit apo vendit importues, është trafik i paligjshëm i mbetjeve.

Ministria e Mjedisit në Shqipëri ka bërë të ditur se nuk ishte informuar ndonjëherë për eksportimin e mbetjeve që dyshohet se janë toksike dhe nuk ka dhënë asnjë autorizim për subjektet dhe lëndët e transportuara.

As vendi pritës, Tajlanda nuk ka pasur njoftim e po ashtu as vendet ku ngarkesa ka kaluar transit, deklaruan grupet mjedisore “GroundWork, Friends of the Earth” në Afrikën e Jugut dhe “Ecological Alert and Recovery”, Tajlandë, që ngritën alarmin.

“Shqipëria nuk është informuar asnjëherë për eksportin nga eksportuesi, shtetet transit nuk janë informuar dhe Tajlanda nuk ka marrë asnjë njoftim. Për shkak të këtij fakti, Maersk po rrezikon përgjegjësinë e mundshme të trafikimit kriminal të mbetjeve”, deklaroi “Basel Acion Netëork”.

Për këtë arsye dy anijet e kompanisë Maersk u bllokuan, teksa po i afroheshin Afrikës së Jugut. Edhe autoritetet atje konfirmuan se nuk kishin marrë asnjë kërkesë për të miratuar tranzitin.

Ndërsa anijet Maersk Candor dhe Maers Campton iu afruan Cape Town, Departamenti i Pylltarisë, Peshkimit dhe Mjedisit në Afrikën e Jugut tha se kontaktoi Shqipërinë dhe Tajlandën për të konfirmuar informacionin e komunikuar nga organizata mjedisore “Rrjeti i Veprimit të Bazelit” se ngarkesa kishte mbetje toksike dhe filloi të gjurmonte anijet në fjalë.

Departamenti, së bashku me policinë, Autoritetin e Sigurisë Detare, Marinën dhe Portin e Cape Toën, planifikoi të inspektonte anijet kur ata u ankoruan dhe kontaktuan Interpolin për të ndihmuar Afrikën e Jugut në këtë çështje.

Maersk u tha autoriteteve atje se anijet thjesht do të kalonin nëpër zonën ekskluzive ekonomike të Afrikës së Jugut në rrugën e tyre për në Tajlandë nëpërmjet Singaporit.

Grupet mjedisore që denoncuan transportin e mbetjeve thanë se dy anijet e Maersk e çaktivizuan sistemin e tyre të identifikimit automatik të transponderave GPS, duke e rënduar kështu pozitën e kompase globale të transportit në këtë çështje Rico Euripidou nga shoqata GroundWork tha se Maersk e pranoi përgjegjësinë.

“Maersk pranoi përgjegjësitë dhe bashkëpunimin në fshehjen e asaj që do të kishte rezultuar në një shkelje të Konventës së Bazelit dhe në mundësimin e tregtisë së paligjshme të mbetjeve të rrezikshme, dhe gjithashtu ka shumë të ngjarë që përfundimisht të kishte rezultuar në kontaminim mjedisor me ndikime në shëndetin e njeriut“, tha ai.

40 kontejnerë ishin shkarkuar nga Maersk në Singapor, por janë nisur më 19 Gusht drejt Italisë me anijen e kompanisë MSC Maria Saveria. Nga Italia në Durrës do të sillen me një anije tjetër.

Shoqata mjedisore “BAN” i rekomandoi kompanisë së transporteve që të kryente analiza për të kuptuar përfundimisht nëse mbetjet ishin të rrezikshme dhe për çfarë lloj mbetjesh bëhet fjalë.

“BAN rekomandon fuqimisht që Maersk të koordinohet me MSC dhe autoritetet e Singaporit për të ndarë mostrat në bordin e anijes se MSC, Maria Saveria, dhe Maersk Candor, të marra nga dy laboratorë të pavarur”, tha Jim Puckett, Drejtor Ekzekutiv i BAN.

Sipas BAN, këto teste duhet të kryhen për metalet e rënda, hidrokarburet aromatike policiklike dhe dioksinat përpara fillimit të riatdhesimit dhe rezultatet të bëhen publike. E po ashtu, kontejnerët duhet të kthehen në Shqipëri për t’u menaxhuar nga autoritetet shqiptare.

Në Shqipëri, Prokuroria e Durrësit po hetojnë se si 800 tonë mbetje industriale të dyshuara të rrezikshme u transportuan nga porti më i madh i vendit pa autorizim.

Kompania që ka kryer eksportin nuk pranoi të jepte sqarime për Tv Klan se ku i kishte marrë mbetjet dhe për çfarë mbetjesh bëhej fjale. Hetimet për të hedhur dritë mbi këtë çështje mund të përfshijnë edhe Kosovën, në baze të dyshimeve se në kontejnerë mund të ketë edhe mbetje nga Kosova.

Tv Klan