Kambanë alarmi e cilëson Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha qarkullimin me armë zjarri në rrugë e kudo, duke sjellë në vëmendje edhe të shtënat e ndodhura ditën e sotme në Malësi të Madhe. Në një reagim, Hoxha thotë se kjo kambanë “na vendos përballë një detyre të madhe”, për të gjetur sipas tij mekanizmat e menjëhershëm për kontroll më të mirë e më efikas të territorit.

“Të qarkullosh me armë zjarri në rrugë, qendra të banuara e kudo, për qëllime kriminale, siç ka ndodhur ditët e fundit apo edhe sot në Malësinë e  Madhe, nuk është thjesht një kambanë alarmi. Kjo kambanë na vendos përballë një detyre të madhe: Për të gjetur mekanizmat e menjëhershëm për kontroll më të mirë e më efikas të territorit, për të siguruar informacionin e duhur, me qëllim parandalimin”, shprehet ministri.

Sipas Hoxhës, po me kaq rëndësi është edhe puna “për të ndryshuar dhe reformuar organizatën e Policisë, nga qendra në bazë, në një shërbim model, pasqyrë e shoqërisë tonë, model që mund ta ofrojnë vetëm drejtues profesionistë dhe me integritet, dhe një organizatë e mirëstrukturuar dhe reaguese mëse e shpejtë”.

Në detyrën e Ministrit të Brendshëm, Hoxha thotë se do të mbështesë maksimalisht dhe pa asnjë hezitim të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit.

“Struktura që busull në punën e tyre kanë ligjin dhe vetëm ligjin, pavarësisht rrezikut dhe vështirësive, siç po përballet sot Policia e Shkodrës në luftën e saj kundër kultivimit të kanabisit apo Policia e Shtetit në përballjen e saj me krimin në çdo cep të vendit. Do të jem krah çdo punonjësi të ndershëm për të dekurajuar krimin dhe forcuar sundimin e ligjit në territor. Qytetarët dhe Shqipëria turistike duan një Polici efikase në çdo moment, për të garantuar jetën dhe pronën, për të siguruar një ambient të sigurt shoqëror dhe respektim të të drejtave e lirive themelore të tyre”, shprehet Ministri i Brendshëm në reagimin e tij.

Më herët gjatë paradites të kësaj të mërkure persona ende të paidentifikuar qëlluan në armë zjarri në ajër, në momentin që panë forcat e policisë. Këta të fundit po kryenin kontroll të territorit në Shkrel. Nga ngjarja nuk pati të lënduar./tvklan.al