Mandati i diplomatëve të emëruar në misionet diplomatike apo posteve konsullore nga 3 vite do te jete katër vjeçar dhe Diplomatët e emëruar nuk mund të ushtrojnë më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme jashtë vendit. Ky është vetëm një nga disa ndryshime që ministria e punëve te jashtme propozon për ti bërë ligjit për shërbimin e jashtëm dhe dokumenti është publikuar për konsultim publik.

Megi Fino, zv/ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme: Nëse në ligjin aktual është togfjalëshi si rregull në tre vjet mandat dhe lë një hapësirë për ta kaluar këtë mandat, ky projektligj sjell një përkufizim më të përcaktuar për sa i përket mandatit 4-vjeçar të kreut të misionit diplomatik.

Zv/ministrja e punëve te jashtme Megi Fino në një interviste për Tv Klan shpjegon projektligjin e ri Akademia Diplomatike do te jene nje hallke shume e rëndësishme për karrierën e diplomateve. Ndërkohë që iu jepet  mundësia shqiptareve të cilët kanë punuar në organizatat ndërkombëtare që të bëhen pjesë e shërbimit të jashtëm shqiptar.

Megi Fino, zv/ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme: Sjell jo vetëm një konsolidim të praktikës profesionale të diplomatit, por edhe të përvojës akademike do të ketë jo vetëm trajnime dhe kualifikime për diplomatët e rinj, por edhe në vazhdimësi përgjatë gjithë karrierës së diplomatit.

Prej vitit 2015 nuk ka me kuota për diplomatët që vijnë jashtë sistemit të shërbimit te jashtëm, dhe në ndryshimet që propozohet nuk janë të parashikuara kuota të tilla.

Megi Fino, zv/ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme: Ka kohë që nuk ka më një përcaktim të një kuote, por tani bëhet fjalë për një konsolidim dhe për një bashkëpunim edhe më të mirë të diplomatëve si një grup i gjerë, pra duke patur këtë edhe këtë ekspertizën e jashtme, por duke patur edhe diplomatët e karrierës.

Edhe procedura që ndiqet për emërimin e ambasadorëve ka ndryshuar, por znj. Fino siguron se nuk anashkalohet roli qe ka Parlamenti përmes komisionit të politikës së jashtme.

Megi Fino, zv/ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme: Ambasadori do të prezantojë platfromën e tij pas dekretimit nga Presidenti, por sigurisht në rast se Komisioni i Politikës së Jashtme ka rezerva për ambasadorin në fjalë patjetër që do të ndikojë.

Në dokumentin i cili në përfundim te fazës se konsultimit do të kalojë në qeveri për tu miratuar dhe me pas për t’iu nënshtruar shqyrtimit parlamentar parashikohen dhe ndryshime përsa i takon trajtimit financiar të diplomatëve dhe familjarëve të tyre.

Tv Klan