Të shtënave me armë zjarri që i morën jetën këtë të hënë 2 personave në Velipojë, nuk i ka shpëtuar as kamarieri i një lokali që ndodhej aty pranë. Gazetarja Emi Kalaja, thotë se i plagosur ka mbetur Zyber Z. Ai mësohet se ka marrë një plagë në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Ishte ora 21:00 e mbrëmjes së sotme kur një konflikt banal i nisur rreth 2 muaj më parë degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit. Viktimë nga breshëria e plumbave mbetën Arsid Hoxha, 22 vjeç edhe Ersild Ishmi, 33 vjeç. Ndërsa autorë të dyshuar të kësaj vrasjeje të dyfishtë janë dy vëllezërit Eduard dhe Gëzim Frroku, pronarë të një hoteli. Ata ndodhen aktualisht në arrati.

Drejtori i policisë së Shkodrës Edmond Sulaj tha në një deklaratë për mediat se shkak për ngjarjen dyshohet se u bë një debat i ndodhur në fund të muajit Qershor në hotelin e vëllezërve Frroku, mes kamarierit dhe kuzhinierit./tvklan.al