Dy të rinj nuk jetojnë më këtë të hënë. Arsid Hoxha, 22 vjeç edhe Ersild Ishmi, 33 vjeç, u vranë tragjikisht mbrëmjen e sotme në Velipojë, për shkak të një konflikti banal.

Autorë të dyshuar të kësaj vrasjeje të dyfishtë janë dy vëllezërit Eduard dhe Gëzim Frroku, pronarë të një hoteli.

Ata ndodhen aktualisht në arrati dhe po kërkohen nga policia. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:00 të mbrëmjes, në afërsi të një lokali. Plumbave nuk i shpëtoi as kamarieri i ambientit në fjalë, duke mbetur i plagosur. Zyber Z. mësohet se ka marrë një plagë në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Sa i përket motivit të vrasjes së dyfishtë, gjeneza e tij kishte nisur në Qershor.

Në një deklaratë për mediat, drejtori i policisë së Shkodrës Edmond Sulaj, tha se shkak dyshohet të jetë bërë një sherr mes kamarierit dhe kuzhinierit të lokalit, në hotelin e vëllezërve Frroku.  

“Mendohet se shkak i këtij konflikti është një debat mes 2 viktimave dhe pronarëve të hotel Lakaj, Eduard dhe Gëzim Frroku. Shkak i këtij konflikti ka qenë një debat i ndodhur më datë 28 Qershor të këtij viti mes kamarierit dhe kuzhinierit të këtij lokali”, tha Sulaj.

Fillimisht dy të rinjtë mbetën të plagosur rëndë. Ata u dërguan me urgjencë në spital, por pavarësisht ndihmës mjekësore, nuk mundën të mbijetonin dhe ndërruan jetë.

Teksa autoritetet policore vijojnë punën për të kapur dy autorët e krimit, hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë./tvklan.al