Një lidhje sentimentale mes bashkëshortes së policit Erion Goxhara dhe Lorenc Kostës, dyshohet se u bë shkak për plagosjen e këtij të fundit këtë të hënë në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:40 në zonën e Komunës së Parisit.

Sipas asaj që raporton gazetari Besar Bajraktaraj, 45-vjeçari Kosta po lëvizte në këmbë, kur polici Erion Goxhara ndaloi automjetin, doli dhe e qëlloi me të paktën 6 plumba në pjesën e këmbëve. Po sipas gazetarit, pasi e la të gjakosur përtokë, Goxhara i bëri të plagosurit fotografi.

Në foto autori i dyshuar, Erjon Goxhara
Në foto autori i dyshuar, Erion Goxhara

Menjëherë më pas efektivi u largua nga vendi i ngjarjes me makinë. Shkoi në shtëpi dhe mori një çantë para se të arratisej, dyshohet drejt Dajtit.

Sa i përket të plagosurit, ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Një reagim për ngjarjen pati edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj i cili tha se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën. Vocaj po ashtu tha se kishte komunikuar vetë me policin në arrati, me qëllim që ta bindte atë që të vetëdorëzohej.

Kreu i policisë së Tiranës shtoi se nga mënyra si efektivi ka qëlluar, nuk ka pasur qëllim ta vrasë 45-vjeçarin Kosta.

Erjon Goxhara së fundmi shërbente pranë Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Tiranë, ndërsa më herët ka punuar në Komisariatin e Policisë në Rinas, por edhe pranë sektorit të Forcës së Posaçme Shqiponja./tvklan.al