Elson Reçi, i njohur ndryshe si “Soni” është arrestuar në Dubai. Lajmi bëhet i ditur nga gazetari Besar Bajraktaraj. Reçi rezultonte në kërkim për atentatin me tritol ndaj Preng Gjinit dhe arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Atentati ndaj Preng Gjinit ndodhi në Shtator të 2020, në Tiranë. SPAK e akuzon “Sonin” si porositësin e këtij atentati. Ai rezulton të ketë nënkontraktuar 6 persona për të kryer shpërthimin e komanduar ndaj Gjinit. Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë nga ngjarja në fjalë.

Atentati dyshohet se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve Reçi e Gjini. Elson Reçi, është nipi i Kastriot Reçit, i vrarë me snajper nga një tarracë pallati në Janar të 2020.

Elson Reçi u shpall në kërkim nga SPAK pas operacionit Metamorfoza 3, që u finalizua më 17 Maj të 2024. Në total nga kjo dosje u nxorën 50 urdhër arreste, për pjesëtarë të 7 grupeve kriminale.

Ndërkohë, po në Maj të këtij viti, gazetari Artan Hoxha përcolli në emisionin “Opinion” foton më lart ku Elson Reçi shihet teksa largohet me automatik në dorë, menjëherë pas një vrasje të ndodhur në Mirditë./tvklan.al