Në Tiranë u mbajt mbrëmjen e kësaj të hëne një marshim-protestë për Egli Progën, 42-vjeçarin i cili u vra brutalisht në Pogradec më datë 10 Gusht. Marshimi u organizua nga familjarë të viktimës dhe shoqata të ndryshme të shoqërisë civile. Me banderolën “Kundër gangove me pushtet”, ata e nisën marshimin në orën 19:00 nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë.

Protestuesit bënë thirrje për drejtësi, me pretendimin se e gjithë ngjarja është manipuluar.

“Ai ka rënë viktimë jo vetëm e dhunës makabre që i mori jetën, por sipas protestuesve është vrarë edhe dy herë të tjera nga shteti. Nga hetimet që nuk janë bërë siç duhet, nga gjykimi që ka nisur të bëhet që sipas tyre është jo i duhur. Sepse sipas tyre, një vrasje e tillë nuk mund të jetë vrasje nga pakujdesia”, raportoi gazetarja Ermelinda Hoxhaj.

“Ishte 10 gusht, 9 mbrëmje më parë, kur si në këtë orë, vëllai im Egli dergjej i vdekur në spitalin e Pogradecit, pa shenjë shpëtimi, pa asnjë shenjë jete, pa asnjë shpresë që në mbrëmje do të përkëdhelte dy fëmijët e tij që e prisnin. Vëllai im vdiq në rrugë në mes të Pogradecit. Vdiq i rrahur, i goditur, nga banditët e qytetit tim. Jo nga një, por nga 4 banditë. Janë 4 vrasësit e Eglit. Jo 1. Prokuroria, gjykata, policia dhe të gjithë, ta dëgjojnë mirë. Egli u vra nga 4 kriminelë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin”, tha mes të tjerash Jonida Proga, motra e 42-vjeçarit.

Ajo po ashtu njoftoi largimin e prokurores Vasjana Postol nga hetimi i çështjes së vrasjes së vëllait të saj.

Egli Proga u dhunua për vdekje nga 29-vjeçari Denis Meçe pasditen e 10 Gushtit në lagjen nr.1 në Pogradec. Për ngjarjen në pranga u vunë fillimisht 4 persona, mes tyre autori dhe 3 dëshmitarë okularë. Këta të fundit u lanë në detyrim paraqitje nga gjykata ndërsa autori po qëndron në burg me akuzën e “vrasjes nga pakujdesia”./tvklan.al