Dy të vrarë është bilanci tragjik i të shtënave me armë zjarri të ndodhura mbrëmjen e kësaj të hëne në Velipojë. Viktimat janë Arsid Hoxha, 22 vjeç dhe Ersild Ishmi, 33 vjeç.

Ata u qëlluan për vdekje nga 2 vëllezërit Eduard dhe Gëzim Frroku. Sipas policisë shkak për ngjarjen e rëndë qëndrojnë motivet e dobëta.

“Mendohet se shkak i këtij konflikti është një debat mes 2 viktimave dhe pronarëve të hotel Lakaj, Eduard dhe Gëzim Frroku. Shkak i këtij konflikti ka qenë një debat i ndodhur më datë 28 Qershor të këtij viti mes kamarierit dhe kuzhinierit të këtij lokali”, tha në një deklaratë për mediat drejtori i policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj.

Dy të rinjtë mbetën fillimisht të plagosur. Ata u dërguan me urgjencë në spital, por pavarësisht ndihmës mjekësore, ndërruan jetë pak kohë më pas.

Më datë 19.08.2024, rreth orës 21:00, në Velipojë, dyshohet se për motive të dobëta, dy vëllezërit E.F., dhe G. F., dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasit A. H., dhe E. I, të cilët u transportuan menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodër por si pasojë e plagëve të marra humbën jetën në spital.

Me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, si grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Njëkohësisht është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë për sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligor të kësaj ngjarjeje”, tha policia e Shkodrës në një njoftim paraprak për mediat./tvklan.al