Koreja e Jugut ka thirrur ambasadorin rus në shenjë proteste ndaj marrëveshjes në fushën e mbrojtjes mes Moskës dhe Phenianit, ndërsa tensionet mes dy Koreve janë shtuar.

Zëvendës Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Kim Hong Kyun i kërkoi ambasadorit rus Georgy Zinoviev të ndërpresë menjëherë bashkëpunimin ushtarak me Phenianin.

Diplomati i Seulit vuri në dukje se çdo formë bashkëpunimi që ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte Korenë e Veriut për të forcuar kapacitetet e saj ushtarake përbën shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe paralajmëroi për pasoja në marrëdhëniet mes Seulit dhe Moskës.

Sipas një njoftimi në rrjetin “X” të ambasadës ruse në Seul, ambasadori Zinoviev u tha zyrtarëve të Koresë së Jugut se çdo përpjekje për të kërcënuar apo frikësuar Rusinë ishte e papranueshme dhe se marrëveshja mes vendit të tij dhe Koresë së Veriut nuk kishte si synim asnjë vend të tretë.

Bazuar në marrëveshjen e firmosur mes presidentit Vladimir Putin dhe  Kim Jong Un të  dyja vendet angazhohen të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për t’i ofruar njëra-tjetrës ndihmë të menjëhershme ushtarake në rast lufte.

Klan News