Bashkimi Europian paralajmëron masa ndëshkimore të reja kundër Kosovës, pas vendimeve të Prishtinës zyrtare për hapjen e urës së Ibrit dhe mbylljes së postave serbe në veri të vendit.

Sinjali i fortë u dha nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dhe që sipas tij kjo vjen si pasojë e veprimeve të njëanshme të qeverisë Kurti dhe të pakoordinuara me partneret ndërkombëtarë.

“Nuk është vetëm BE-ja, të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i thonë Qeverisë në Prishtinë që të mos angazhohet në këto seri hapash të pakoordinuar, negativ dhe të njëanshëm. Shpresojmë se më në fund do ta dëgjojnë mesazhin dhe do të na ndalojnë të marrim në konsideratë se çfarë masa do të konsiderojmë të marrim nëse situata nuk ndryshon”, tha Stano.

Më herët për situatën e tensionuar në Kosovë reagoi dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, duke theksuar se veprimet e fundit të qeverisë Kurti po e humbin besimin e Uashingtonit ndaj Prishtinës zyrtare.

“Ne besojmë se qeveria e Kosovës po vë në rrezik mundësitë që ne i kemi ofruar. Nëse e shikoni që nga pavarësia e Kosovës, SHBA-ja fuqishëm ka mbështetur integrimin e saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar si një demokraci sovrane e multientike”, tha David Miller, zëdhënës i SHBA.

Zëdhënësi i DASH-it tha se inkurajon qeverinë e Kosovës edhe ajo që duhet të bëjë është që t’i rikthehet bashkëpunimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtar të saj.

Ai shtoi këtë SHBA e ka bërë të qartë publikisht, por edhe privatisht.

Tv Klan