Tim Walz, në një fjalim emocionuar në ditën e tretë të Konventës Demokratike pranoi nominimin si zv/president të SHBA-së.

Ai u shpreh se fitorja e Kamala Harris do të kthejë faqen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Është nderi i jetës sime të pranoj nominimin tuaj për zëvendëspresident të Shteteve të Bashkuara. Ne jemi të gjithë këtu sonte për një arsye të bukur dhe të thjeshtë: ne e duam këtë vend”.

Shumë amerikanë nuk kishin dëgjuar kurrë për Walzin para se Harris ta zgjidhte për kandidat për nënpresident. Ai para demokratëve tregoi për përvojën e tij si trajner futbolli, për shërbimin në Gardën Kombëtare dhe për problemet e familjes së tij me fertilitetin, të gjitha këto pjesë të biografisë së tij që republikanët e vendosen në pikëpyetje që kur Harris e zgjodhi atë.

Ai u shpreh se Amerika duhet të jetë një vend ku fëmijët nuk janë të uritur, kujdesi shëndetësor dhe strehimi janë të drejta njerëzore. Mes të tjerash Walz tha se një Shtëpi e Bardhë me një Trump në krye nuk do t’i shërbente askujt përveç të pasurve dhe më ekstremistëve.

Ndërkaq producentja amerikane Oprah Winfrey bëri një paraqitje surprizë ku u kërkoi demokratëve të “zgjedhin mendjen e shëndoshë mbi marrëzitë”.

“Le të zgjedhim lirinë. Pse? Sepse kjo është më e mira e Amerikës. Ne jemi të gjithë amerikanë. Dhe së bashku, le të zgjedhim të gjithë Kamala Harris! Le të zgjedhim të vërtetën, le të zgjedhim nderin, le të zgjedhim gëzimi kjo është më e mira e Amerikës”.

Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, sulmoi Donald Trump dhe u shpreh se Amerika nuk pëlqen më kaosin dhe shtrembërimin e së vërtetës. Delegatët dëgjuan gjithashtu nga Nancy Pelosi, ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, të lavdëronte Harris dhe falenderoi Biden për shërbimin e tij ndaj vendit.

Tensionet rreth luftës në Gaza ishin ende të dukshme, pasi delegatëve pro-palestinezë iu refuzua kërkesa për një fjalim dhe protestat vazhduan jashtë vendit ku mbahej Konventa e Demokratëve.

Klan News