Tre futbollistë të kombëtares pjesëtar të klubit Tirana, Klodian Duro, Elvis Sina dhe Endri Vrapi janë pezulluar deri në fund të sezonit nga skuadra për mosimpenjim në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Eduard Gjini: “Donatorët bashkë me klubin kanë organizuar një takim, për të shikuar të gjitha  problemet që ndodhën dje në ndeshjen finale të Kupës së Republikës. Në takim u morën disa vendime, por më e rëndësishmja ishte pezullimi i 3 lojtarëve, Klodian Duro, Elvis Sina dhe Endri Vrapi të cilët janë pezulluar me motivin për mos impenjim në ndeshjen finale të Kupës. Ata do të jenë të pezulluar deri ën fund të sezonit, pra të tria ndeshjet nuk do t’i zhvillojnë natyrisht nuk do të marrin pjesë as në seancat stërvitore.”

Zakonisht në futbollin shqiptar janë pezulluar dhe përjashtuar futbollistë nga klubet për mos impenjim kur në fakt është presupozuar se ata kanë shitur ndeshjet.

Eduard Gjini: “Përderisa nuk kemi fakte, nuk mund të akuzojmë asnjë lojtar për shitje ndeshje.”

Futbollistët e Tiranës do të përballen edhe me një ndëshkim tjetër, atë financiar. Në kontratat e tyre ka një klauzolë e cila thotë, se nëse ekipi nuk fiton kampionatin ndëshkohet me 30% të shumës së kontratës dhe 5% nëse nuk fitohet trofeu i Kupës, pra në total 35%.

Sipas drejtorit Gjini që prej qershorit të vitit të shkuar deri në shkurtin e 2008 futbollistët e Tiranës janë paguar në bazë të kontartës dhe tashmë i detyrohen klubit t’i kthejnë një pjesë të parave. Me një aritmetikë të thjeshtë dhe sipas kontratave Klodian Duro i detyrohet klubit 900 mijë lekë të reja, Elvis Sina 135 mijë, ndërsa Endri Vrapi 178 mijë lekë. Nga ndëshkimi duket se ka shpëtuar vetëm stafi teknik i javës.

Eduard Gjini: “Brenda javës do të mblidhemi për të vendosur të gjitha problemet financiare dhe gjobat që do të marrin lojtarët për mos impenjim.”/tvklan.alGazetar: Erion Todhe