Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare dënon dhunën në Maqedoni dhe u bën thirrje aktorëve politikë të tregohet të vetëpërmbajtur dhe të mos përdorin retorika që përshkallëzojnë situatën.

Në një deklaratë për mediat, MPJ shprehet se përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare.

Deklarata e plotë:

“Po ndjekim me shqetësim të madh përshkallëzimin e situatës në Maqedoni dhe skenat e dhunës në ambjentet e Kuvendit ku raportohen sulme ndaj disa deputetëve. 

Përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar.

U bëjme thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje, të mos përdorin retorika që përshkallëzojnë situatën e tensionuar dhe të angazhohen maksimalisht, me qetësi, e gjakftohtësi në një dialog të qenësishëm.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje forcave të rendit të angazhohen në ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë së gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre.

Qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve, në të mirën e tyre të përbashkët, të bashkëjetesës e harmonisë ndëretnike si edhe të përparimit euroatlantik të vendit.

Mbështesim thirrjen e ambasadoreve të vendeve të BE-së dhe të SHBA-së, për të shmangur dhunën dhe për të nisur një dialog të qenësishëm politik në Maqedoni”.

/tvklan.al