Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, thotë se Autoriteti Portual të Durrësit nuk ka lidhje me transportin e mbetjeve dyshuara të rrezikshme drejt Tajlandës. Pas mbledhjes së qeverisë Balluku ka sjellë në vëmendje dhe procedurën që përdoret për transportin e mbetjeve toksike.

“Autoriteti Portual i Durrësit nuk ka lidhje me këtë proces. Ka edhe tranzitim edhe eksport të mbetjeve të rrezikshme të cilat janë të koduara në bazë të kodeve evropiane të transportit të këtyre mbetjeve. Autoriteti me koncesionarin që ka kryer këto transporte janë dy entitete konkurrente.”

Zëvendëskryeministrja thotë se çështja e transportit të mbetjeve të dyshuara të rrezikshme duhet lënë në dorën e drejtësisë, e cila sipas saj, do të vërtetojë nëse ka patur apo jo shkelje të ligjit.

“Jepini kohën e duhur drejtësisë dhe më pas të flasim mbi analiza të sakta. Mos ta kthejmë këtë çështje në kombëtare e më pas në ndërkombëtare, pasi nuk bën asgjë tjetër përveçse godet Shqipërinë në periudhën më të mirë turistike.”

Balluku theksoi se kjo çështje nuk duhet të përdoret për qëllime politike, pasi deri më tani nuk janë konstatuar parrregulli në zbatimin e ligjit nga institucionet e vendit.

Klan News