Trendet e viteve 1980 ishin sinonim i ekzagjerimit. Të treguarit të statusit, personalitetit apo pushtetit ishte një shtysë dhe motiv që qëndronte pas veshjes Veç xhaketave të gjera apo sfungjerëve te shpatullat, bizhuteritë shërbenin për të plotësuar frazën “më shumë është shumë”.

Sa më të mëdhenj, të guximshëm dhe maksimalistë të ishin aksesorët, aq më mirë.

Madonna vendoste shumë zinxhirë floriri, me figurina të ndryshme dhe kryqe. Princeshë Diana përdorte vathët e mëdhenj dhe i rrotullonte perlat 3-4 herë në qafë.

Ndonëse sot shumë gjëra kanë ndryshuar, stili që përcaktoi atë dekadë mode pasqyrohet edhe në ditët e sotme. Chanel, Schiaparelli dhe Versace kanë prezantuar vathë të mëdhenj ndërsa një rikthim i këtij viti janë edhe spilat.

Aksesorët e artë

Aksesorët e artë janë ata që përshkruajnë më mirë vitet ’80 dhe preferohet të vendosen disa njëherësh. Vathë të mëdhenj të kombinuar me një byzylyk zinxhiri janë një fillim i artë.

Vathët e mëdhenj

Metalikë apo me ngjyra dhe me çmime që i përshtaten kujtdo, këta vathë s’duhet të mungojnë këtë verë.

Varëset e gjata

Nuk ka rëndësi cilën varëse do të vendosësh, por sa prej tyre. Një trio zinxhirësh të artë është zgjedhje e sigurt, por mund t’i kombinosh sipas dëshirës. Mos harro t’i kushtosh vëmendje gjatësisë së secilës.

Perla

Vathë të mëdhenj perle apo varëse me një rresht perlash apo më shumë, zgjedhja mbetet në dorën tuaj por duhet të bëjë pjesë në kutinë e bizhuterive.

Byzylyk rreth

Me metal të shkrirë apo rezinë shumëngjyrëse, këtë vit duhet të riktheni byzylykët rrathë. Mund të vendosni vetëm një apo të kombinoni një mori prej tyre.

Spilë

Spilat ishin pjesë shumë e rëndësishme  e një veshjeje në vitet ’80 sepse mund të transformonin një veshje. Carolina Herrera, Moschino, Miu Miu kanë sugjeruar spila të dekoruara për të zbukuruar bluzat apo fustanet.

/tvklan.al