Presidenti  i SHBA Joe Biden mbështet anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

“Presidenti Biden nënvizoi mbështetjen e tij për politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe për të drejtën e Finlandës dhe Suedisë për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre, politikën e jashtme dhe marrëveshjet e sigurisë”, thuhet në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë.

Në këtë njoftim thuhet gjithashtu  se Biden përsëriti angazhimin e përbashkët për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e këtij vendi të prekur nga lufta.

Presidenti amerikan ka  kryer një bisedë telefonike me kryeministren suedeze, Magdalena Andersson dhe presidentin finlandez, Sauli Ninisto. Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni më vonë bënë të ditur  se po kërkonin sqarime mbi kundërshtimet e Turqisë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.

Shumë anëtarë të aleancës kanë shprehur tashmë mbështetje për anëtarësimin e këtyre dy vendeve, të cilat tradicionalisht kanë mbetur neutrale. Por presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan nuk është dakord për një vendim të tillë. Kujtojmë se anëtarësimi në NATO kërkon mbështetje unanime nga të 30 vendet anëtare.

Klan News