Tërheqja e Joe Biden nga gara presidenciale ka qënë objekt spekulimesh prej disa javësh. Edhe pse Shtëpia e Bardhë që nga 21 Korriku, ditën kur presidenti amerikan njoftoi se nuk do të kërkonte një mandat të dytë thotë se ai e mori vendimin tërësisht i vetëm, mediat ndërkombëtare kanë spekuluar për personat që e kanë detyruar atë të tërhiqet nga gara.

Është media britanike “Daily Mail” e cila thotë se ka qënë ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila ka ndikuar në vendimin e tij. Mësohet se Pelosi i ka bërë një ultimatum të qartë Bidenit që të tërhiqej nga gara. Pelosi mësohet se i ka kërkuar të tërhiqet, ose përndryshe ajo do të niste publikisht një sulm ndaj aleatit të saj politik dhe mikut prej mbi 50 vitesh.

Katër burime për “Daily Mail” thonë se është zhvilluar një telefonatë mes Pelosit dhe Bidenit, ku ajo e kërcënonte se do të tregonte në publik sondazhe për të mbështetur sulmin e saj politik dhe për të treguar se ai nuk ishte i aftë për të mposhtur Donald Trumpin në zgjedhjet e Nëntorit në SHBA.

Ky lajm ekskluziv i “Daily Mail” vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Pelosit dhe Bidenit vijojnë të jenë të tensionuara. Ata nuk kanë folur së bashku që kur presidenti amerikan njoftoi vendimin e tij për t’u tërhequr nga gara presidenciale.

Klan News