Nëse ajo fiton Shtëpinë e Bardhë, nënpresidentja amerikane Kamala Harris ka një plan të qartë ekonomik që synon të ndihmojë amerikanët.

Përmes planit të saj, ajo synon uljen e taksave, uljen e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe strehimit. Gjatë një fjalimi në shtetin e Karolinës së Veriut, Kamala Harris tha se forcimi i klasës së mesme do të jetë qëllimi i Presidencës së saj.

“Si presidente, unë do të jem e fokusuar në krijimin e mundësive për klasën e mesme që ne të përmirësojmë sigurinë e tyre ekonomike, stabilitetin dhe dinjitetin. Së bashku, ne do të ndërtojmë atë që unë e quaj një ekonomi mundësish. Një ekonomi ku të gjithë mund të konkurrojnë dhe të kenë një shans real për të pasur sukses.”

Harris gjithashtu propozoi 25,000 Dollarë ndihmë për një kategori të blerësve të parë të shtëpive dhe stimuj tatimorë për ndërtuesit e shtëpive të reja.

Anketat e deri më tanishme tregojnë se amerikanët kanë më shumë gjasa t’i besojnë Trump se sa Harris në çështjen emenaxhimit të ekonomisë. Rreth 45 për qind e amerikanëve thonë se Trump është i pozicionuar më mirë në menaxhimin e ekonomisë, ndërsa 38 për qind e tyre mbështesin qasjen e Harris për ekonominë.

Klan News