Shpëtimit iu desh ta mësonte përmes një rruge jo të lehtë se gjithçka që i nevojitej ishte familja. Në historinë që rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ai tregoi se si varësia nga alkooli nuk e bënte të ndihej më i fortë dhe as nuk e përmbushte. Me shumë kurajë e guxim, ai gjeti forcën që të shkëputej dhe të rindërtonte jetën e tij për të patur mundësinë të ribashkohej me Besën dhe djalin e tyre.

Pas 10 vitesh nga ndarja, Besa kuptoi se ndryshimi i Shpëtimit ishte i vërtetë. Ai kishte hequr dorë nga pija, kishte rindërtuar shtëpinë dhe ishte gati që t’i përkushtohej familjes. Falja e saj është shumë e rëndësishme për Shpëtimin ndaj dhe e ka thirrur Besën në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan; t’i shprehë publikisht atë që i mban zemra.

Shpëtim: Dua të falenderoj bashkëshorten. Do ta mbështes deri në vdekje këtë familje dhe i kërkoj të falur.

Besa: Përderisa ne jemi famije, unë e kam falur.

Njëkohësisht, edhe për Besën nuk ishte e lehtë jeta në Peshkopi. Kur u largua, djali ishte vetëm 4 vjeç dhe nuk ishte e lehtë. Në krah kishte motrat e vëllezërit, por mbështetej fort te vetja dhe te djali deri në momentin e ritakimit me Shpëtimin.

Ardit Gjebrea: Në momentin  e parë kur e takove  Shpëtimin pas 10 vjetësh, si ishte?

Besa: Me thënë të drejtën, skur s’kishte ndodhur ndarja asnjëherë.

Ardit Gjebrea: Vërtet? E besove?

Besa: Me kalimin e ditëve vazhdova që ta besoj.

Ardit Gjebrea: Dalëngadalë. Po kur e pe që po i jepte makinës?

Besa: Aty jam tronditur.

Ardit Gjebrea: Aty the nuk ka mundësi! Po momenti i parë kur pe shtëpinë?

Besa: E pashë që ka ecur shumë përpara, që ka ndryshuar.

Ardit Gjebrea: Dhe ti nuk e besoje këtë gjë.

Besa: Ishin 10 vite, nuk ishin pak dhe ishte një distancë. Në ato 10 vite unë Shpëtimin një herë e kam takuar.

Ardit Gjebrea: Si e takove?

Besa: Desha një firmë për çunin, për një prokurë.

Ardit Gjebrea: Dhe ai ishte në atë periudhën e vështirë kur e takove.

Besa: Po, shumë të vështirë.

Ardit Gjebrea: Ta dha firmën?

Besa: Po.

Ardit Gjebrea: Gjë e mirë kjo.

Besa: E kam falenderuar pa masë.

Ardit Gjebrea: Gjatë atyre 10 viteve, nuk të mbushi mendjen ndonjë Shpëtim tjetër? Shpëtimi menjëherë reagoi që “ore!”

Besa: Tani kishte, por nuk e di dashurinë e Shpëtimit e kisha thellë brenda./tvklan.al