UEFA ultimatum për fatin e futbollit



UEFA ultimatum për fatin e futbollit

18:10 16/05/2020

Kërkon vendimet e federatave për kampionatet

Futbolli shqiptar pret ende një konfirmim final për rinisjen e aktiviteteve zyrtare. Klubet do të nisin stërvitjet më 18 Maj me objektivin për të luajtur 10 ndeshjet e mbetura duke filluar nga data 3 Qershor, në mënyrë që brenda datës 3 Gusht të kenë përfunduar kampionati dhe kupa e Shqipërisë.

Kjo datë është edhe afati i fundit i përcaktuar nga UEFA për federatat europiane. Por organizmi europian i futbollit ka përcaktuar datën 25 Maj për të marrë përgjigjet përfundimtare nga federatat se çdo të bëhet me futbollin.

Dy ditë më pas në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të saj, UEFA do të vendosë se çfarë do të bëhet më pas me garat europiane, Champions dhe Europa League.

Udhëzimet e saj ishin që çdo federatë të gjente mënyrën më të përshtatshme dhe më të sigurtë nga ana shëndetësore për zhvillimin e ndeshjeve të mbetura dhe nëse kushtet e pandemisë nuk do të lejonin zbritjen e skuadrave në fushë, atëherë duhet të shpalleshin skuadra kampione ato që në momentin e ndërprerjes ishin në vendim e parë të renditjes.

Edhe klubet e Superligës patën një mendim për t’i mbyllur ndeshjet e mbetura në tavolinë, por ranë dakord për rikthimin në fushë pasi skuadrat shqiptare mund të përjashtoheshin nga edicioni i radhës i garave europiane.

Tv Klan



Të ngjashme