Ukraina nisi mëngjesin e së dielës një valë sulmesh me dronë që synonin impiantet e energjisë dhe rafinerive në rajonin e Moskës dhe Tverin.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 158 dronë ishin shkatërruar nga sistemi i mbrojtjes ajrore, 122 prej të cilëve u rrëzuan mbi rajonet e Kurskut, Brianskut, Voronezhit dhe Belgorodit, që gjenden në kufi me Ukrainën.

Por pavarësisht pretendimeve të Kremlinit për eliminimin në ajër të dronëve ukrainas, mediat perëndimore raportojnë se si rezultat i sulmit një zjarr ka shpërthyer në një rafineri nafte në Moskë. Kjo u konfirmua edhe nga kreu i bashkisë së Moskës i cili bëri të ditur se të paktën 11 dronë kishin patur në shënjestër kryeqytetin dhe zonat përreth.

Zyrtarët lokalë thanë gjithashtu se dronët u përpoqën të godisnin termocentralin Kashira në rajonin e Moskës por pa shkaktuar dëme dhe viktima.

Ndërkohë, 120 kilometra nga kryeqyteti rus, në rajonin Tver, u dëgjuan shpërthime të forta pranë termocentralit Konakovo, ndërsa mediat ruse raportuan për zjarr në objekt.

Guvernatori i rajonit, Igor Rudenya, pranoi se zjarri i shkaktuar nga një sulm në qarkun Konakovsky ishte vënë nën kontroll.

Sulmi i Kievit vjen në një kohë kur në anën tjetër edhe Rusia ka intesfikuar sulmet e saja në territorin ukrainas, ku gjatë ditëve të fundit janë shënuar dhjetëra viktima.

Tv Klan