Për më tepër se 8 orë, kabineti qeveritar, përfaqësuesit kryesorë të maxhorancës në parlament, por dhe drejtuesit e institucioneve kyçe në varësi të kryeministrit, larg zhurmës së kryeqytetit, në freskinë që të ofronte këtë të diel lartësia e Malit të Dajtit, në ambientet e vilës qeveritare kanë zhvilluar një takim informal që i ka paraprirë nisjes së sezonit të ri politik.

Analizë e çdo qelize të qeverisë dhe partisë, për ça është bërë gjatë këtyre muajve dhe më e rëndësishmja, kush janë sfidat që socialistët duhet të përballin për të arritur drejt objektivit të shpallur, marrja e mandatit të 4 qeverisës.

Mbledhja ka qenë e ndarë në tre pjesë. Deri në orën 13:30 të gjithë njerëzit e Edi Ramës, të angazhuar më komunikimin, si drejtorët e institucioneve të varësisë, të ndarë sipas sektorëve që mbulojnë kanë diskutuar për angazhimet që do të kenë gjatë zgjatë fushatës zgjedhore.

Pas një pushimi prej 60 minutash, radha ka qenë për raportimin e ministrave. Të ndarë në tre shtylla tre ministret Balluku, Dhuka e Manastirliu kanë folur për investimet, integrimin dhe çështjet sociale.

Në fund fjala ka qenë për kryeministrin, që ka dhënë konkluzionet e tij, por duke zgjedhur që mos të bëjë asnjë postim mbi ecurinë e këtij takimi. Ajo që pritet me interes është mbledhja e Asamblesë Kombëtare që do të zhvillohet të dielën e ardhshme në Durrës, e nevojshme mesa duket pasi vendimmarrjet e këtij takim janë vërtetë “të nxehta”. 

Veç miratimit të përbërjes së Kryesisë së re, të gjithë presin që në këtë forum, Rama të bëjë të ditur dhe lëvizjes e drejtueseve politikë, por me shumë gjasë të ndryshojë dhe të gjithë sekretariatin e partisë.

Tv Klan