Emisioni Uniko nga Spartak Koka sjell këtë të hënë historinë e vrasjes së 3 vajzave shqiptare në Itali në një hark kohor prej rreth 3 javësh.

Ngjarja e parë bën fjalë për vrasjen me thikë të Anila Ruçit 38 vjeç dhe plagosjes së 30-vjeçarit Osman B. Të dy jetonin së bashku në një apartament dhe tek fqinjët, Anila e kishte prezantuar Osmanin si vëllain e saj, edhe pse ky i fundit nuk kishte lidhje gjaku me të. Osman B. mbahet nga policia italiane si i arrestuar për vrasjen e Anilës. Shkaqet e ngjarjes mbeten të paqarta për autoritetet italiane. Uniko ka investiguar rreth kësaj çështje dhe ka zbuluar fakte të cilat do t’i bëjë publike ditët në vijim.

Rasti i dytë është ngjarja e rëndë e Taulant Malaj, i cili vrau vajzën e tij 16-vjeçare Xhesika dhe italianin Massimo De Santis 51 vjeç, si dhe plagosi bashkëshorten Tefta Malaj.

Ngjarja e tretë është ajo e Danjela Nezës, e cila u vra nga ish i dashuri i saj një shtetas me origjinë afrikane.

Vrasja e Anila Ruçit në Itali, i plagosuri nuk është vëllai i saj. Uniko zbulon detaje të reja

Anila Ruçi, 38-vjeçarja shqiptare në Itali që u gjet e vrarë me thikë në shtëpinë e saj në Pavia në fund të Prillit 2023, nuk e ka vëlla personin të cilin e prezantonte si të tillë. Është fjala për Osman B. 30 vjeç, i cili gjithashtu u gjet i plagosur me thikë në atë ngjarje dhe aktualisht mbahet i arrestuar nga autoritetet italiane.

Osmani ishte i plagosur dhe tregoi se e njohura e tij Anila ishte pa shenja jete brenda banesës dhe se i kishin sulmuar me thikë persona të panjohur.

Me plagë në bark dhe kraharor, 30-vjeçari shqiptar u transportua drejt spitalit. Me mbërritjen e policisë dhe shërbimit mjekësor Anila u gjet në brendësi të shtëpisë me plagë në fyt që sipas raportit mjeko-ligjor kjo plagë kishte qenë vdekjeprurëse.

Në momentin e parë të marrjes në pyetje Osman.B 30 vjeç u rrëfeu karabinierëve se një person i panjohur i kishte sulmuar gjatë kohës që ata kishin qenë në banesë dhe se ai ishte përleshur me autorin i cili pasi kishte vrarë Anilen ishte larguar menjëherë.

Në një intervistë për mediat italiane estetistja Marika Fama sqaroi se viktima që punonte si kujdestare në provincë, kishte lëne një takim tek qendra e saj dhe ishte vonuar, gjë e cila i kishte bërë përshtypje.

“Patjetër që e njhja Anilën. Jetonte pak metra nga biznesi im dhe e shihja gjithmonë teksa dilte xhiro me qenin. Ajo kishte lënë një takim për sot që të premten e kaluar dhe u vonua. I dërgova një mesazh sepse kishte humbur edhe takimin e parë, duke e pyetur nëse donte të vinte edhe me gysmë ore vonesë. Nuk m’u përgjigj, nuk pa as mesazhin. Pashë të vëllain e saj, i cili kërkonte bashkëatdhetarë pasi nuk di italisht, për të kërkuar ndihmë, por nuk e kuptova se çfarë po ndodhte dhe u ktheva në dyqan. Pastaj pashë ambulancën që erdhi të cilët morën vëllain, ndërsa para apartamentit vendosën shirita skenë krimi. Ai kishte veshur një këmishë gri, por nuk pashë asnjë shenje të kuqe. Nuk di vërtetë se çfarë mund të ketë ndodhur. I plagosuri vëllai u bashkua me të në Tetor, pas verës. Por ai nuk flet italisht. E shikoja vetëm kur dilte nga shtëpia dhe ecte për të shkuar në lokal. Nuk e di nëse punonte”.

Motivi deri në këto momente mbetej i paqartë dhe shton më shumë dyshimet rreth kësaj ngjarje. Pasi sipas të dhenave autori nuk kishte hyre për të grabitur, pasi në banesën e Anilës nuk ishte vjedhur asgjë. Në verifikimet e ditëve të fundit nuk rezultonte që 38-vjeçarja shqiptare të ishte kërcënuar apo të kishte patur problem me njeri në zonë.

Emisioni Uniko kontaktoi me Marika Famën, estestisten italiane e cila na tregoi se Anila i kishte folur dhe për burrin shqiptar.

“Anila ishte kliente e imja dhe frekuentonte shpesh qendrën estetike të qytetit. Ajo jetonte në Scaldasole që prej Majit-Qershorit të vitit 2022. Ajo më thoshte se jetonte me vëllain e saj. Më ka thënë se kishte dhe një burrë të cilin e kam parë 5-6 herë. Burri ishte sigurisht rreth 15 vite më i madh se ajo. Ishte shqiptar nga ajo që më ka thënë Anila. Për herë të fundit që e kam parë burrin e saj ishte Janar i këtij viti. Ajo më thoshte se ai ishte një sipërmarrës por kurrë nuk më tha se me çfarë merrej konkretisht”.

Nga verifikimi që bëmë rezulton se Anila ligjërisht nuk ishte e martuar. Pikëpyetjet që lindin nga rrëfimi i estetistes italiane janë të shumta: Kush ështe burri shqiptar i Anilës? Përse nuk u shfaq ai pas ngjarjes dhe përse nuk ka mbërritur në Itali për tërheqjen e trupit të saj?

Pak ditë pas ngjarjes, hetuesit italianë zbuluan fakte të reja që ishin tronditëse dhe që rrëzonin versionin e personit që mbeti i plagosur në të njëjtën dhomë me Anilën.

1. Osman B. 30 vjeç i plagosur nuk ishte vëllai i Anileës.

2. Vrasja e saj kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit përafërsisht rreth orës 05:00.

3. Ngjarja ishte raportuar 11 orë me vonesë.

4. Plagët në bark dhe në kraharor të evidentuara në trupin e Osman B. ishin bërë nga vetë ai.

5. Kamerat e sigurisë në zonë nuk filmuan asnjë person të dyshimtë që të hynte dhe të dilte nga shtepia e tyre gjatë 15 orëve të fundit deri në momentin e raportimit.

Këto të dhëna shtynë hetuesit që dyshimet për ngjarjen ti përqëndronin tek 30-vjeçari Osman B. Ndaj këtij të fundit u ngrit akuza e vrasjes me dashje dhe në dhomën e spitalit ku po trajtohej iu komunikua urdhri i ndalimit.

Ndërkohë në vendngjarje me gjithë kërkimet policia nuk arriti të gjente thikën me të cilën dyshohet se u krye krimi.

Marrëdhënia mes Osmanit dhe Anilës nuk është përcaktuar ende. Në fshat ata e prezantonin njëri-tjetrin si motër e vëlla, por nuk ishin ashtu. Nga ana tjetër dyshimet janë që mes tyre nuk ka pasur një lidhje dashurie pasi Anila u kishte prezantuar banorëve burrin shqiptar rreth 15 vite më të madh se ajo.

Osman B. e justifikoi vonesën me 11 orë të raportimit të ngjarjes me faktin se i kishte rënë të fikët për shumë kohë. Ai mohoi akuzat e ngritura se ishte ai autori i vrasjes dhe vijon t’i qëndrojë versionit që krimin ta ketë kryer një person i panjohur.

Sipas gazetës II Giorno, seanca dëgjimore për vlerësimin e mases së sigurisë që ka ndodhur në spital ishte jashtë normales. I arrestuari nuk e njihte Elierta Mytarin si avokaten e vet. Ai ka kërkuar që të mbrohet nga një avokat i vendosur nga shteti. Madje ai nuk ka njohur as autoritetin e magjistratit duke i kërkuar që të tregojë një mjet identifikimi.

Motra e vërtetë e Osmanit, shtetasja me inicialet Xh.B. e cila jeton në një provincë tjetër të Pavia, ka autorizuar një avokate shqiptare për të mbrojtur të vëllain dhe po pret gjithashtu lejen që të ketë mundësi për ta takuar.

Trupi i Anila Ruçit vijon të mbahet ende në morgun e mjekësise-ligjore në Pavia pasi ende nuk është bërë kërkesë për terheqje nga familjarët e saj.

Të kontaktuar nga emisioni Uniko, familjarët e Anilës dhe Osmanit në Shqipëri nuk pranuan të prononcoheshin për ngjarjen. 

“I kam vrarë, do t’i therr akoma”, tragjedia në familjen shqiptare në Itali

Kjo është familja Malaj nga Selenica e Vlorës që prej vitesh banon në Itali. Një tragjedi shkatërroi këtë familje dhe tronditi mbarë komunitetin në Itali dhe në Shqipëri. Kryefamiljari Taulant Malaj, masakroi me thikë vajzën e tij 16-vjeçare Xhesika duke e lënë të vdekur në vend.

Ndërsa bashkëshorten Tefta Malaj 39 vjeç e la të plagosur duke e goditur me thikë. Dora e 45-vjeçarit i mori jetën edhe një shtetasi italian, 51-vjeçarit Massimo De Santis, banor i të njëjtit pallat ku jetonte dhe familja Malaj.

Taulant Malaj dyshonte se bashkëshortja e tij, me të cilën raportohet se ishte në proces divorci, e kishte tradhtuar me komshiun italian. Krimi i rëndë ndodhi më 7 Maj në apartamentin ku jetonte familja shqiptare në Torremaggiore në provincën e Foggia të Italisë.

Të parin që vrau Taulant Malaj ishte komshiu italian, Massimo De Santis 51 vjeç. Me këtë të fundit një përleshje fizike në pallatin ku jetonin dy familjet.

Më pas e goditi disa herë me thikë. Plagët e shumëfishta i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Sipas mediave italiane, 45-vjeçari shqiptar dyshonte se ai kishte lidhje intime me bashkëshorten Tefta Malaj.

Pasi therri me thikë italianin, Taulant Malaj u kthye në banesën e tij për të vrarë gruan. Në tentativë për t’i marrë jetën, ai goditi me thikë vajzën e tij 16-vjeçare Xhesika, e cila ndërhyri për të mbrojtur nënën e saj. Në përleshje e sipër, 45-vjeçari arriti që të godiste me thikë në bark edhe gruan, Teftën, duke e lënë të plagosur.

Pas masakrës që shkaktoi, ai u rikthye sërish në shkallët e pallatit ku ndodhej trupi i pajetë i italianit. Të gjithë çmendurinë e tij, Taulant Malaj vendosi ta regjistronte me celular, duke filmuar trupin e viktimës 51-vjeçarin italian. Më pas u ngjit në banesën e tij, aty ku ndodhej trupi i pajetë i vajzës së tij 16-vjeçare dhe bashkëshortja e cila i lutej për mëshirë teksa ishte e plagosur. Këtë video-regjistrim nuk do ta bëjmë publik për shkak të pamjeve tepër të rënda, por do të transmetojmë vetëm materialin audio të autorit, i cili pranon krimin që ka kryer dhe arsyet sipas gjykimit të tij.

Madje, ai kërkon nëpër shtëpi edhe djalin e tij të vogël 5-vjeçar, por nuk mundi ta gjente. Sipas të përditshme italiane “La Repubblica”, djali ishte fshehur pas divanit në dhomën e ndenjies, pikërisht aty ku Taulant Malaj therri me thikë vajzën dhe gruan. Pasi policia u fut brenda në apartament, 5-vjeçarin e gjetën të fshehur pas divanit. I mituri qëndronte aty duke u dridhur dhe i tmerruar.

“Quhem Taulant Malaj nga Selenica e Vlorës. E shikoni këtë këtu, ky është italian. Gruaja ime është ***** gjithë ditën, unë punoja gjithë ditën, ja ky është. Ja fala 1 herë të parin. Ky është i dyti. Shikoje, e kam therrur vetë. Vetë e kam therrur. I vrava që të tre, edhe çupën, se ngacmonte dhe çupën. Shikoje këtu. Vrasje këtu. Këta janë… pusho…pusho **** e ****, pusho ***** e ****, pusho..****** gjithë ditën, boll ****, boll, boll..boll **** se ta fala 1 herë, boll, boll. Ku është djali. Shikoje, i kam vrarë, i kam therrur, do t’i therr akoma. S’ka ardhur asnjë polici, do t’i therr tani”.

Këtë video, 45-vjeçari nga Vlora ua dërgoi në WhatsApp familjarëve dhe të njohurve të tij, e më pas u përhap në rrjetet sociale. Në gjendje të plagosur, Tefta Malaj arriti të largohej nga banesa dhe të njoftonte policinë për krimin e rëndë që kryer bashkëshorti i saj. Taulant Malaj u arrestua nga policia disa minuta më vonë.

Bashkëshortja e tij ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Fatkeqësisht, vajza e tij 16-vjeçare Xhesika dhe komshiu italian Massimo De Santis mbetën të vdekur nga plagët e thikës. Taulant dhe Tefta Malaj ishin të martuar që prej 7 Gushtit 2005.

Së fundmi çifti ishte në proces divorci dhe sipas mediave italiane, 45-vjeçari ishte larguar dhe nga apartamenti ku ndodhi krimi. Për ngjarjen e rëndë reaguan edhe zyrtarët e shtetit italian.

Zv/Kryeministri i Italisë Matteo Salvini reagoi në rrjetet sociale, duke shkruar “Një lutje për Xhesikën, e cila vdiq në moshën 16-vjeçare nga dora e atij që nuk mund të quhet baba, por vetëm një kriminel i neveritshëm. Për të pres dënimin maksimal”.

Kurse kryebashkiaku i Torremaggiore, Emilio Di Pumpo, bëri thirrje që të respektohen viktimat dhe video e realizuar nga Taulant Malaj të bllokohet dhe të mos shpërndahet nëpër internet.

“Kam vrarë një vajzë”, detaje nga vrasja e Danjela Nezës në Itali

Një histori dashurie e ndërprerë në mes ishte shkaku për vrasjen e një vajze 28-vjeçare shqiptare që jetonte në Itali.

Jeta e Danjela Nezës u mor nga ish i dashuri i saj, i cili e vrau me plumb në kokë. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të 6 Majit në Savona të shtetit italian.

Autori, një 27-vjeçar me origjinë nga Guinea e Afrikës i quajtur Sefayou Sow, u vetëdorëzua në polici menjëherë pas krimit.

Ishte pikërisht ai i cili pas krimit lajmëroi policinë.

“Kam vrarë një vajzë, ejani më merrni”, i tha 27-vjeçari policisë që e telefonoi pas krimit.

Sipas dëshmisë të dhënë në polici nga 27-vjeçari, Danjela Neza i kishte kërkuar që t’i jepnin fund lidhjes dhe patën debat verbal.

Sipas tij, kjo ishte mundësia e fundit për t’u sqaruar dhe për t’u kthyer bashkë, por 28-vjeçarja shqiptare e kishte marrë vendimin. Një vendim që nuk u pranua nga i riu, i cili shkoi në makinë, hapi bagazhin dhe mori një pistoletë gjysmë automatike.

Iu afrua Danjelës, i drejtoi armën dhe e qëlloi në kokë. 28-vjeçarja shqiptare mbeti e vdekur në vend.

Menjëherë më pas njoftoi karabinierët. Ai e ka pranuar krimin para hetuesve, teksa tashmë autoritetet italiane duhet të verifikojnë versionin e tij dhe të rindërtojnë dinamikën e krimit.

27-vjeçari afrikan është me dokumente të ligjshme në Itali dhe nuk ka rekorde kriminale. I paqartë mbetet faktit se ku e gjeti armën e krimit, që sipas mediave italiane, ishte me numër serial të fshirë.

Ndërsa shqiptarja Danjela Neza ishte me origjinë nga Tropoja dhe familja e saj banon në zonën e Bathores në Tiranë.

Babai i 28-vjeçares, ditën e ngjarjes reagoi në rrjetet sociale ku shkruante me hidhërim se vajza e tij u nda nga jeta.

Mediat italiane raportojnë se Danjela Neza kishte precendent në Itali dhe ishte e njohur për policinë për krime kundër pronës dhe trafik droge.

/tvklan.al