Pëllumbat simbolizojnë paqen, por prania e tyre mbi urën e Ibrit në Mitrovicë ende nuk e ka sjellë atë.

Ura ende e ndan veriun nga jugu duke u kthyer në një simbol të ndarjes ndëretnike në këtë pjesë të Kosovës.

Një ditë më parë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në stacionin veri, Veton Elshani deklaroi se shumë shpejt ura mbi Ibër do të hapet.

Këtë të enjte, ai nuk pranoi të fliste për këtë çeshtje, por për Tv Klan tha se si polici janë të gatshëm të zbatojnë çdo urdhër që u  vjen nga lart.

“Në muajin prill te vitit të kaluar Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut kishte marrë vendim për hapjen e kësaj ure”, tha ai.

Sipas një ujdie të arritur më parë në Bruksel, ura do të duhej të ishte e hapur për qarkullim të plotë më 20 Janar 2017.

Por edhe 6 vite pas këtij afati, ura vijon të jetë e bllokuar, teksa barrierat e betonit dhe disa makina policie qëndrojnë në të dyja anët e saj.

Aktualisht ura e Ibrit është e hapur vetëm për këmbësorë.

Pas rivitalizimit të urës së Ibrit me financim të BE-së, parashihej edhe ndërtimi i parkut të paqes.

Barrikadat e para në këtë urë janë vënë në vitin 2011 nga ana e serbëve lokalë. Qëllimi ishte t’i kundërvihen shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në veri.

Tv Klan