Lajme Arkiva 2003

Ushtria maqedonase ka ndërmarr një operacion të gjerë në zonën e Kumanovës kundër Forcave të Armatës Kombëtare Shqiptare. Në dy fshatra e zonës ka nisur largimi i popullatës shqiptare nga frika e një konflikti të mundshëm.

Pjesa me e madhe e banorëve që po largohen janë gra dhe fëmijë. Kryetari i komunës së Likovës Husdamedin Halili thekson se tensioni në këtë zonë është në rritje dhe pritet në çdo moment të ketë ndonjë përshkallëzim. Ai konfirmoi praninë e madhe të Forcave Speciale Policore Maqedonase, të cilat sipas tij kanë mbjellë frikë në mesin e popullatës.

Mbrëmjen e djeshme një takim u zhvillua në Kumanovë, midis udhëheqësve të pushtetit vendor, deputetëve shqiptar të kësaj zone dhe përfaqësuesve të OSBE-së.

Sot pritet që pjesëmarrësit e këtij takimi të bisedojnë me përfaqësues të AKSH-së. Një ditë pasi grupi i armatosur dha një ultimatum për tërheqjen brenda 24 orësh të forcave maqedonase të sigurisë nga rajoni i Kumanovës dhe Likovës.

Zëdhënësi i qeverisë maqedonase nuk pranoi të komentonte në lidhje me këtë ultimatum, ndërsa zëdhënësja e ministrisë së Brendshme Mirjana Kontevska tha se veprimet e kësaj qeverie ishin në përputhje me marrëveshjen e tetorit.

Javën e kaluar në Kumanovë, pas 8 orësh rrëmbimi u liruan 2 pjesëtarë të ministrisë së brendshme maqedonase ndërsa në Shkup regjistruan 3 sulme kundër objekteve qeveritare. Krahas zvarritjes së realizimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit, situata e krijuar përbën një nga sfidat kryesore të koalicionit Maqedono-Shqiptar që kur erdhi në pushtet 11 muaj më parë./tvklan.