Gërmimet që po kryhen nga arkeologë shqiptarë në bashkëpunim me ata gjermanë në varrimin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, në qytetin e Lezhës kanë nxjerrë në dritë mjaft zbulime të rëndësishme.

Punimet në pjesën e poshtme dhe të sipërme të qytetit kanë zbuluar banesa të shekullit të dytë para erës sonë, një pjesë e të cilave dëshmojnë për shkatërrimin që pësoi qyteti në periudhën e mbretit Gent gjatë luftës iliro-romake në vitin 168 para erës sonë.

Bashkim Lahi: “Ne po gjurmojmë siç thashë dy periudha të mëdha dhe shumë të rëndësishme të historisë së qytetit, periudha helenistike që do të thotë shekulli i tretë para erës sonë dhe periudha e antikitetit të Mesjetës së hershme. Një seri të dhënash sjellin informacione për një situatë katastrofike që mund të ndodhë në qytetin e Lezhës në kuadrin e luftës iliro-romake në periudhën e Gentit. Ky është rasti i parë që në Shqipërinë veriore dokumentohet një banesë me periudhë me mozaikë që i takon periudhës së vonë helenistike”.

Në këto gërmime janë zbuluar pjesë të baptisterit, e cila sipas arkeologëve është e ngjashme me atë të Butrintit.

Me interes në këto zbulime të reja paraqet edhe një mozaik që daton në shekullin e dytë para erës sonë.

Gërmimet në qytetin antik të Lisusit vazhdojnë që prej dy vitesh duke nxjerrë në dritë të tjera dëshmi të qytetit të lashtë./tvklan.al