Lajme Arkiva 2004

Në orët e mbrëmjes është bllokuar nga policia Pastiçeri Venecia. Ky bllokim është bërë disa orë pas fillimit  të operacionit “Rrjeta e hekurt” për bllokimin dhe sekuestrimin e pasurive që dyshohen se janë vënë me para që vijnë nga afera kriminale. Në operacionin e bllokimit të Venecias drejtonte shefi i krimeve në komisariatin numër 1.

Por Saimir Lame pretendon e është pronar i lokalit dhe se veprimtaria e tij është plotësisht ligjore.

Saimir Lame: Unë kam marrë një lokal me qira dhe po punoj. Pa pritur më vjen policia dhe më thotë e do bllokoj lokalin dhe pa asnjëlloj vendimi gjykate apo vendim prokurorie, apo nga tatimet apo nga diçka. Erdhën punonjësit e tatimeve, panë licencën. Ja ku është licenca në emrin tim. Ja ku është edhe mandat pagesa. Unë nuk jam debitor ndaj shtetit, për çfarë arsye policia vjen të më bllokojë lokalin?

Gjatë orëve të pasdites janë bllokuar gjithashtu dy bare në Laprakë, pronë e Ilir Ramës, personit të arrestuar disa javë më parë pas gjetjes së 17 kilogramëve heroinë në autobusin e linjës Tiranë-Athinë.

Bllokimet e këtyre pronave kanë shkaktuar reagime nga pronar të objekteve dhe juristë të ndryshëm të cilët pretendojnë se sekuestrimet bëhen me urdhër të prokurorisë. Kështu pronari i Hotel Alvin, prokurori i Tiranës , Petrit Fusha ka reaguar pas bllokimit të pronës së tij duke deklaruar se objekti është ngritur mbi një truall të trashëguar nga familja e tij dhe me një kredi të marrë në bankë.

Prokurori Petrit Fusha shprehet se nuk janë të vërteta akuzat se ai ka ngritur këtë pronë si pasojë e implikimit dhe mitmarrjes dhe se për këtë do e denoncojë Sokol Bizhgën për shpifje.

Ndërsa vetë drejtor i antikrimit Bizhga, drejtues i operacionit rrjeta e hekurt, është shprehur se bllokimet janë bërë në bazë të një neni penal që i jep të drejtën policisë të sekuestroj prona që dyshohet se kanë lidhje me krimin.

Më pas këto prona së bashku me pronarët do të hetohen nga prokuroria e cila mund të ndjekë deri në fund procedurën e sekuestrimit./tvklan.al