Gjoba për të gjitha bizneset që hedhin mbetjet aty ku hedhin familjarët. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kjo çështje problematike nuk mund të tolerohet në një kohë kur kryeqyteti ka fluks turistësh të huaj.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: Për sa i përket çështjes së pastrimit, ne kemi pasur një fushatë të jashtëzakonshme gjobash, sidomos për kompanitë private. Bizneset nuk mund t’i hedhin mbetjet aty ku i hedhin familjarët. Të hedhësh të gjitha copat e mbetura të sfungjerit, apo të lëkurës dhe tekstilit nga fasoneritë tek koshi i plehrave të qytetarëve, apo një restorant peshku ose një kasap mishi, tek koshi i familjarëve është një shkelje e ligjit dhe duhet dënuar me gjobë. Do të jemi me tolerancë zero kur vjen puna tek super marketet, tek bizneset, tek ata që i dinë, i kanë mundësitë, kanë edhe mjetet e tyre të logjistikës, dinë edhe kontaktin e bashkisë për t’ia marrë kartonët në destinacion, sepse kjo është e patolerueshme.
Veliaj u ndal edhe tek strehëza e kafshëve e ndërtuar në zonën e Tufinës.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: Ajo që ndodh shpesh është se ka njerëz që largohen me pushime dhe i lëshojnë kafshët në rrugë. Dikush që e lëshon kafshën në rrugë, do të thotë se nuk e ka trajtuar si anëtar të familjes dhe nëse ky është një rast ekstrem, është më mirë që ta sjellin këtu për adoptim, të kujdesemi ne gjatë verës, sesa ta lëshojnë në rrugë, ku bëhet jo vetëm pre e infeksioneve, jo vetëm sjell problematika të tjera të ndotjes me kafshë që ushqehen në kazanë plehrash, por rrezikojnë edhe higjienën në temperaturë 40 gradë. Thirrja për të gjithë qytetarët është: Mos i braktisni kafshët shtëpiake. E kuptoj që të gjithë duan të ikin me pushime, por nëse keni thënë që është anëtar i familjes, merrini me vete, mos i braktisni. Nëse e keni absolutisht të pamundur t’i merrni me vete, është më e ndershme ta dorëzoni atë kafshë për adoptim dhe ne të gjejmë një familje që tregon më shumë kujdes, se sa ta braktisim në rrugë dhe t’i kthehemi një cikli, që Tirana e ka harruar prej 10 vitesh.
Kryebashkiaku ftoi të gjithë ata që po mendojnë të marrin një kafshë shtëpiake të konsiderojnë adoptimin në strehën e kafshëve.
Tv Klan