“Kemi më shumë nevojë se kurrë për kujtesën e Pashkës”

Kisha katolike në rrugën e “Kavajës” do të ketë një hapësirë më të madhe dhe më dinjitoze. Teksa inspektoi punimet për rehabilitimin e saj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pati një urim edhe me rastin e ditës së Pashkës.

“Më vjen mirë që kisha është dyfishuar si hapësirë. Ne, si bashki, kemi bërë vetëm detyrën, sepse besoj se pjesa më e vështirë nuk është ndërtimi fizik, por ndërtimi shpirtëror për komunitetin. Uroj të jetë një Pashkë e bekuar”.

Më tej ai theksoi se mesazhi që përcjell në vetvete dita e Pashkës duhet të jetë edhe motivi i jetës së përditshme, ku dashuria duhet të mund urrejtjen.

“Kemi më shumë nevojë se kurrë për kujtesën e Pashkës, se jeta e mund vdekjen, se dashuria e mund urrejtjen, se bashkimi e mund përçarjen. Komuniteti katolik është ndoshta një nga komunitetet më të persekutuara nga regjimi komunist, dhe fakti që sot, jo vetëm në fjalët e tua, Padër Zef, por edhe në fjalët e komunitetit, nuk ka urrejtje, nuk ka mëri, nuk ka inat, përkundrazi me shumë përulësi, jo duke harruar të kaluarën, por duke parë nga e ardhmja”.

Gjithashtu në vigjilje të Pashkës kryetari i Bashkisë së Tiranës vizitoi edhe ambientet e reja të Kishës Protestante në Kombinat.

Tv Klan