Luftime të ashpra u regjistruan orët e fundit në Libanin jugor mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite, që tha se ka hyrë rreth 400 metra në brendësi të kufirit. 8 ushtarë izraelitë janë vrarë në këto luftime.
Pas vrasjes se tetë ushtarëve, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se janë në luftë me boshtin e së keqes, Iranin, duke shtuar se Teherani do ta paguajë shtrenjtë edhe gabimin që bëri mbrëmjen e të Martës.
“Jemi në kulmin e një lufte të vështirë kundër boshtit të keqes, Iranin, i cili kërkon të na shkatërrojë. Kjo nuk do të ndodhë kurrë sepse ne do të qëndrojmë të bashkuar dhe me ndihmën e Zotit, do t’i kthejmë pengjet nga jugu dhe do t’i kthejmë qytetarët tanë në veri dhe do të garantojmë fitoren e Izraelit”.
Tel Avivi shprehet se do të realizojë hakmarrjen ndaj Iranit në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se mund të sulmojnë çdo pikë në Lindjen e Mesme.
Por presidenti amerikan Joe Biden, duke e cilësuar si të drejtë të Izraelit të kundërpërgjigjet, kërkoi që ajo të jetë në mënyrë proporcionale.
“Ne nuk mbështesim sulmet në qendrat bërthamore, do të flas me kryeministrin e Izraelit. Sulmi duhet të jetë në mënyrë proporcionale. Për këtë janë dakord edhe shtetet e G7-ës”.
Presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian, gjatë një vizite në Katar, përsëriti edhe njëherë se vendi i tij nuk dëshiron luftë, por nëse Izraeli hakmerret, atëherë do të përgjigjen në mënyrën të ashpër të mundshme.
Ndërkaq, Izraeli shpalli “non grata” Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, duke ia ndaluar hyrjen në këtë shtet, kjo pasi nuk e dënoi sulmin iranian. Por Departamenti Amerikan i Shtetit tha se ky ishte një hap jo produktiv.
Tv Klan