74-vjetorin e Çlirimit të Tiranës, Kryebashkiaku Erion Veliaj e shfrytëzoi për të dhënë një mesazh për protestat e zhvilluara përpara Bashkisë nga banorët e Unazës së Madhe. Veliaj hoqi një paralele mes opozitës së sotme dhe ngjarjeve të luftës kur vendi ishte i pushtuar nga nazistët.

“Edhe në atë kohë kishte një minorancë që bashkëpunonte me nazizmin. Tirana u çlirua falë partizanëve. Kjo na bën krenarë. Megjithatë ka momente për reflektuar. Pardje u dogjën goma para bashkisë pas 74 viteve, jo nga pushtuesit apo zaptuesit, por nga ne vetë. Prandaj ky është moment reflektimi. Do kthehemi pas të flemë gjumë? Apo do të përveshim mëngët të përqafojmë njëri tjetrin dhe të mos lejojmë politikanët që të na përçajnë, për të na penguar në këtë rrugëtim”.

Sipas kryebashkiakut pas protestës qëndron opozita, e cila ka një strategji të për të bllokuar integrimin e vendit. Ndërsa në dëgjesën për buxhetin me banorët e Vaqarrit, Veliaj  tha se zona për të cilën protestohet është e zaptuar nga lotot, lavazhet.

“E kuptoj kur nga nevoja njeriu ndërton shtëpi për të jetuar, por 8 kate nuk është nevojtar, o miqtë e mi! Protestuesi më i madh Eurolloto! Po pse duhet njerëzit që s’luajnë baste të shpronësojnë një loto. Të ndezin zjarr sa të duan, të djegin goma sa të duan, por fatin e familjeve dhe fëmijëve të këtij qyteti e kemi vetë në dorë”.

Sipas Veliajt, projekti për Unazën e Madhe është një gjurmë që diskutohej që në kohën e Adil Çarçanit, pa rënë sistemi.

Tv Klan