Nga ky vit shkollor, nxënësit e shkollës “Avni Rustemi” do të mësojnë me një turn.  Kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë inspektimit të punimeve të fundit të shkollës tha se Bashkia e Tiranës ka vendosur të merret vetëm me punët duke u kthyer një përgjigje edhe protestave të opozitës.

“Kam vendosur të mos fokusohem as te zhurma, as të merrem me ata që vetëm dinë të shajnë, të djegin, të ndezin zjarre dhe molotovë, si e vetmja alternativë e tyre. Kjo alternativa këtu është shumë herë më e mirë. Në këtë shkollë mësojnë si fëmijët e së majtës, edhe të së djathtës. Unë i kuptoj që është shumë e vështirë të pranosh humbjen e thellë që ata patën në Tiranë.”

I bindur në fitoren e së majtës në zgjedhjet e 2025, Veliaj tha se humbja e opozitës do të jetë edhe me e thellë në Tiranë.

“I siguroj se humbja tjetër në Tiranë për ta do të jetë edhe më e thellë, edhe më e dhimbshme. Ky qytet ka ditur të zgjedhë me zgjuarsi mes atyre që shkatërrojnë dhe dhunojnë, dhe atyre që ndërtojnë dhe lënë një pajë të jashtëzakonshme për fëmijët. Në zgjedhjet e ardhshme sërish do të duhet të gjykojmë kush punoi, kush la një gjurmë, kush ndërtoi, cilësinë e jetesës.”

Sipas Veliajt, me investimet e bashkisë është rritur vlera e pronës në çdo cep të kryeqytetit.

Klan News