Inspektimin e radhës te Piramida, kryebashkiaku Erion Veliaj e bëri së bashku me kreun e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Granoff dhe ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim. Veliaj tha se Piramida eshte  transformuar, edhe me financim të SHBA, dhe do të jetë gati në pranverë.

 “Kemi pasur një histori suksesi me qendrën TUMO, e cila për shkak të kërkesave të shumta sot s’mund të akomodojë më fëmijë, për shkak edhe të sistemit të bursave sepse financojmë fëmijët që vijnë nga familje në nevojë. Sot jemi në fazën kur duam ta rrisim masivisht pjesëmarrjen në TUMO, dhe besoj se Piramida, duke qenë se jemi 70-80% në përfundim të punimeve, deri në pranverë”, është shprehur Veliaj.

Kreu i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff tha se Piramida do të ndihmojë në transformimin e Shqipërisë përmes fëmijëve.

 “Mendoj se është një shembull i gjërave unike që mund të bëjmë së bashku. Do të jemi në gjendje të transformojmë këtë strukturë nga një monument i së kaluarës në të tashmen, për ta risjellë edhe për të ardhmen e Shqipërisë. Përmbajtja konsiston në faktin se kjo hapësirë do të ndihmojë në transformimin e Shqipërisë përmes fëmijëve, të cilët do të jenë pjesë e gjeneratës së re, e teknologjisë së re, e mijëvjeçarit të ri”, ka thënë Kreu i AADF Michael Granoff.

Piramida e Tiranës do të jetë një hapësirë për ata që do të merren me teknologjinë e informacionit dhe duan që këto sisteme të kohës të popullarizohen, sidomos tek të rinjtë.

Klan News