Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim përfaqësues të autoriteteve vendore dhe të partisë Social-Demokrate suedeze.

Teksa vlerësoi projektet sociale dhe punën e bërë me mbështetjen e “Olof Palme”, kryebashkiaku vuri theksoin se falë partneritetit me këtë organizatë Tirana sot është më sociale.

“Kanë qenë këto politika të majta që na kanë çuar drejt këtyre vendimeve, si: Transporti falas për studentët, pagesa e gjysmës së konvikteve për studentët nga Bashkia e Tiranës, aksesi në teknologji dhe trajnimet në qendrën “TUMO”, të paguara prapë nga Bashkia e Tiranës, transporti falas për pensionistët nga nga 1 janari i vitit tjetër, prapë e paguar nga Bashkia e Tiranës, dhe nga shtatori tjetër ushqim falas për fëmijët në shkolla”.

Ai theksoi se eksperienca e marrë kryesisht nga Suedia, ka shërbyer që Bashkia e Tiranës të integrojë, në vendimmarrjet e saj, politika të mirëfillta që kanë si synim barazinë sociale.

“Tani jemi duke menduar sesi do të bëjmë qendrën më të madhe në Ballkan për të ndihmuar fëmijët e spektrit autik. Ne mund të subvencionojmë edhe transportin, edhe konviktet, edhe ushqimin, ndaj them se ia ka vlejtur investimi dhe eksperienca që kemi marrë nga vendet skandinave, por sidomos nga Suedia dhe fondacioni “Olof Palme”, për të injektuar edhe në nivelin lokal politika të mirëfillta që ndihmojnë njerëzit më shumë në nevojë”.

Tv Klan