Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takua të enjten me ambasadorin e Rusisë në këtë vend, Aleksandr Botsan-Kharchenko, me të cilin, siç tha, bisedoi për situatën në Kosovë dhe mundësinë “e hapjes me forcë” të urës mbi lumin Ibër.

Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiç shkroi se ka pasur “një bisedë të hapur dhe të sinqertë me ambasadorin Botsan-Kharchenko për të gjitha temat me interes për Serbinë dhe për Federatën Ruse, si dhe për qëndrimet e Serbisë në lidhje me zhvillimet aktuale gjeopolitike globale”.

“Unë shpreha shqetësim të thellë për pasojat e mundshme që mund t’i ketë hapja me forcë e urës së Ibrit, si dhe për aktivitetet e tjera të planifikuara të regjimit të Prishtinës, të drejtuara kundër popullit serb në Kosovë”, shkroi Vuçiç, por pa dhënë detaje apo burime informacioni për planet që i përmendi.

Vuçiç, po ashtu, e falënderoi Rusinë për mbështetjen e vazhdueshme diplomatike për Rezolutën 1244 të OKB-së, si garanci të vetme ndërkombëtare për, siç tha, mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Një ditë më herët në Beograd, Vuçiç diskutoi për të njëjtat tema me ndihmëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s për çështje politike dhe të sigurisë, Boris Ruge.

Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njoftoi qysh në mes të korrikut se synon ta hapë urën kryesore mbi Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jugun me shumicë shqiptare dhe veriun me shumicë serbe.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse është rënë dakord që të hapet për qarkullim në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Por, shtetet e QUINT-it – SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia njoftuan më 2 Gusht se nuk e mbështesin hapjen e urës për qarkullimin e automjeteve tash për tash, duke thënë se një gjë e tillë mund të çojë në tensione të reja në Kosovë.

Rusia dhe Serbia konsiderohen si vende miqësore dhe Beogradi e ka mbështetjen e Moskës në refuzimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Edhe pse Beogradi zyrtar ka mbështetur disa rezoluta të OKB-së që e kundërshtojnë pushtimin rus të Ukrainës, Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, pavarësisht presionit nga Perëndimi.

Krahas bashkëpunimit politik, dy vendet po zhvillojnë edhe atë ushtarak dhe ekonomik./REL