Situatë e rëndë nga zjarri në Shëngjin. Forca të shumta vijojnë prej orësh betejën për të vënë nën kontroll flakët. Edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter nuk ka bërë të mundur vënien në kontroll të vatrës.

Flakët po përhapen me shpejtësi ndihmuar edhe nga era në zonë. Janë evakuuar jo vetëm banorë të zonës, por edhe turistë të cilët kishin zgjedhur “Ranën e Hedhun” për të kaluar pushimet.

Zjarri rrezikon banesat dhe hotelet. Shkëndijat e zjarrit kanë djegur çadra e shezlongë në bregdet.

Në terren janë më shumë se 100 forca zjarrfikëse me 20 mjete ndërsa po ndihmohen edhe nga banorë të zonës e vullnetarë. Veç zjarrfikësve të Lezhës e zonave përreth kanë shkuar edhe forca e mjete nga bashkitë e tjera të vendit. Në ditën e fundit si ministër i Brendshëm në Shëngjin ishte edhe Taulant Balla.

Zjarri ka ndezur edhe municion luftarak duke bërë që në zonë të dëgjohen shpërthime. Është djegur sipërfaqe e konsiderueshme me pisha e bimësi të tjera ndërsa besohet se zjarri në malin e Shëngjinit është i qëllimshëm. Megjithatë ende policia e Lezhës nuk ka një të dyshuar apo të ndaluar për zjarrvënie të qëllimshme.

Klan News