Opozita nuk mori pjesë në votimin

Me 62 vota pro dhe asnjë “kundër” Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votëbesoi kabinatin qeveritar të drejtuar nga Zoran Zaev, ndërkohë që përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së opozitare nuk morën pjesë në votim.

Votëbesimi i qeverisë ishte i paparashikuar në punimet e Kuvendit dhe erdhi pas kërkesës që vetë Zaev bëri gjatë punimeve të seancës. 

Ai sqaroi se me këtë kërkon të pastrojë “mjegullën” që është përhapur nga opozita se ai nuk ka mbështetje dhe se po krijohet një shumicë e re parlamentare.

“Me këtë veprim jam para jush dhe në emër të Qeverisë dhe partnerëve të koalicionit u jap mundësinë, të përballemi dhe ta pastrojmë. Ta shohim në vepër atë shumicë të re të paralajmëruar nga opozita që do ta rrëzojë pushtetin. Kjo është mënyra të shohim se për çfarë bëhet fjalë, qeveri stabile me shumicë stabile ose opozitë të papërgjegjshme”.

Duke renditur arritjet e Qeverisë në mandatin e tij të dytë, para së gjithash në përballjen me pandeminë dhe pasojat ekonomike, Kryeministri përmendi edhe një listë të gjatë të nismave ligjore që janë të bllokuar në Kuvend nga VMRO-DPMNE-ja.

“Është e palejueshme që të mos thirren Komisionet që udhëhiqen nga opozita, të mos lejohet puna online e Kuvendit, e gjithë kjo është pjesë e sjelljes destruktive të bllokimit të shtetit, por nuk ia arritën. E vërteta është arma më e fuqishme kundër lajmeve të rrejshme”.

Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së me anë të një njoftimi bëri të ditur se Zaev nuk kishte guxim që të përballej me opozitën në një mocion me debat 3-ditor.

 Klan Macedonia