Edhe pse mosbesues ndaj teknologjisë që bazohet tek interneti, Ambasadori i OSBE – se Bernd Borchardt ka hapur dritën jeshile për aplikimin eksperimental të mundësisë së votimit elektronik në Shqipëri. Ai ftoi liderët e politikes Rama-Basha me 13 dhjetor në një konferencë të nivelit të lartë për këtë çështje.

Bernd Borchardt: “Autoritetet shqiptare duhet të shqyrtojnë me kujdes të gjitha mundësitë e politikave për identifikimin elektronike të zgjedhësve, votimin dhe numërimin elektronik. Praktikat e mira ndërkombëtare tregojnë se teknologjitë që nuk bazohen në internet janë më të parapëlqyera dhe më të realizueshme. Hakerat e kanë më të vështirë të sulmojnë këto lloj teknologjish. Futja e teknologjive të reja elektronike të votimit kërkon kohë. Nevojitet patjetër organizimi i një projekti pilot mbase në një numër të caktuar bashkish në zgjedhjet e ardhshme vendore.”

Në kërkesat e reja të opozitës për komisionin e ri zgjedhor votimi dhe numërimi elektronik mbetet kushti kryesor për marrëveshje.

Kryeministri Edi Rama ka toleruar numërimin elektronik, por për votimin elektronik ja ka lënë vendimin OSBE-së.

Katër vjet më parë, nga pozicioni i kreut të LSI, Ilir Meta ka qenë pro votimit elektronik.

Më 2013 ishte PS, e cila e mbështeti idenë e aplikimit të teknologjisë elektronike në Fier, madje mori angazhimin publik se me ardhjen në pushtet, sistemi do të ndryshohej për të shkuar drejt teknologjisë.

Më 2015 është PD në opozitë që gjithashtu mbështet dhe kërkon me forcë aplikimin e teknologjisë në votim dhe numërim. Dështimi i votimit elektronik në Fier dhe Tiranë u shkaktoi taksapaguesve, sipas KLSH-së, një dëm prej rreth 2.5 milionë euro.

Por dëmi real mund të jetë edhe më i madh, pasi kartat e prodhuara nga Aleat mund ta bëjnë të pamundur këtë proces edhe në rang kombëtar edhe pse shqiptarët kanë paguar për koncesionin e prodhimit të pasaportave mbi 150 milionë euro.

Klan Plus