Rrumbullaku: Të kërkuarit, anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal. Atentati dyshohet se ka ndodhur për gjakmarrje

Zbardhet vrasja e biznesmenit Ardjan Nikulajt në 19 prill në lokalin e tij në Shëngjin. Janë firmosur në total 6 urdhër arreste, atentatori është shtetas portugez, 4 persona janë nga Britania e Madhe dhe një është shqiptaro-britanik. Mësohet se autori u largua nga pika doganore e Kapshticës dhe dyshohet se është vrasës me pagesë.

Ai u ndihmua për tu larguar nga vendi ynë nga një shtetas britanik, i cili u shpall në kërkim. Policia ra në gjurmët e tij pas gjetjes së rrobave të atentatorit, në një banesë mes fshatit Gjadër dhe Kakarriq. Në to u zbuluan gjurmë ADN-je që i përkasin ekzekutorit, kjo dhe falë bashkëpunimit me institucionet e huaja.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku tha se janë grumbulluar prova që faktojnë rolin e secilit prej personave në kërkim që kanë funksionuar si grup i strukturuar kriminal.

“Si rezultat i hetimeve janë dokumentuar veprimet nga autorët e dyshuar, nga momenti i organizimit deri në momentin e vrasjes së 51-vjeçarit Ardian Nikulaj. Janë siguruar prova shkencore biologjike të pakundërshtueshme që i përkasin autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë. Kemi të bëjmë me shtetas totalisht të huaj të cilët hyjnë në vendin tonë në kuadrin e vizitorit në Republikën e Shqipërisë.”

Mes personave të shpallur në kërkim është edhe një vajzë e cila ka blerë motorin dhe ja ka dhënë një prej personave të përfshirë në atentat.

Policia dyshon se ekzekutimi i biznesmenit Nikulaj është bërë për gjakmarrje. Oficerët e policisë po hetojnë mbi konfliktin 20 vjeçar që Nikulaj ka me fisin Lestakaj.

Përplasja për një 10 mijë lekësh, në një pikë karburanti dhe përfundoi me bilanc tragjik me disa të vrarë.

Ky është rasti i tretë në vendin tonë, ku janë përdorur shtetas të huaj, si vrasës me pagesë.

Në 27 Maj të 2015-ës në masakrën përballë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, një nga autorët ishte shtetasi italian, Salvatore leticia.

Në 29 Janar të 2018 u ekzekutua Devi Kasmi nga shtetasi grek, Efthimios Efthimius.

Klan News