Gjenden gjurmë të gishtave të vëllait të vogël në qesen që mbështolli pistoletën

Prokuroria e Durrësit ka kryer eksperiment hetimor lidhur me vrasjen e Pëllumb Metës në Shënavlash të Durrësit. Të tre fëmijët e tij, Hysen, Amarildo e Hygerta Meta, por edhe bashkëshortja e të ndjerit, Blerina, janë dërguar në një poligon për të bërë qitje me armë.

Sipas burimeve, mësohet se vetëm Hygerta Meta ka bërë qitje, ndërsa gruaja dhe 2 fëmijët e tjerë nuk kanë pranuar të qëllojnë me pistoletë. Nga ky eksperiment rezulton se vetëm Hygerta di ta përdorë pistoletën, por grupi hetimor ka dyshime se edhe dy djemtë bashkë me nënën e tyre dinë të përdorin armën. Ky eksperiment hetimor u ndërmor për të përcaktuar se cili prej tyre qëlloi me 4 plumba në drejtim të Pëllumb Metës për shkak të dëshmive kontradiktore që kanë dhënë fëmijët gjatë hetimeve paraprake.

Edhe pas kësaj prove, grupi hetimor nuk është i bindur për autorësinë e vrasjes së Pëllumb Metës. Për këtë arsye, hetuesit kanë rikthyer në shtëpinë e saj Hygerta Metën. Ajo është dërguar në vendin ku ndodhi ngjarja dhe i është kërkuar të inskenojë edhe një herë veprimet që pretendon se i ka kryer vetë. Ajo ka treguar pozicionin si ka qëlluar të atin, pozicionin ku ishte i shtrirë, trajektoret, zhvendosjen e trupit deri tek varrosja e tij.

Të dhënat e këtij eksperimenti po krahasohen me ato të përpiluara nga ekspertët gjatë këqyrjes së vendit të krimit, por paraprakisht hetuesit nuk janë të bindur që Hygerta Meta të jetë autore e ekzekutimit.

Ndërkaq nga rezultatet e analizave të laboratorit të kriminalistikës, rezulton se në qesen me të cilën ishte mbledhur pistoleta të jenë gjurmët e vëllait të vogël Amarildo Meta. Vrasja e Pëllumb Metës ndodhi 1 muaj më parë. Trupi i të ndjerit u gropos në kasollen e bagëtive dhe fëmijët inskenuan ngjarjen duke e denoncuan babain si të zhdukur.

Por dy javë më pas Policia zbardhi ngjarjen duke zbuluar se 49-vjeçari ishte vrarë nga familja dhe jo të ishte zhdukur. Motivi u tha se ishte mblesëria për të martuar Hygertën pa dëshirën e saj, por kjo pistë nuk i bind hetuesit.

Klan News